Sveçla: Po hetohet mundësia e përfshirjes ruse në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se për sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit po hetohet edhe mundësia e përfshirjes ruse.

Në një intervistë për agjencinë “Associated Press”, Sveçla ka thënë se hetuesit po shikojnë mbi provat nëse ka lidhje me Rusinë, si aleate e Serbisë, në sulmin e armatosur. Armët, pajisjet dhe dokumentet e kapura sugjerojnë se ka përfshirje ruse në sulmin.

“Ajo që e dimë sigurt është se ata erdhën nga Serbia”, ka thënë ai. “Disa nga ta janë serbë të Kosovës, që kanë dyshtetësi, kosovare e serbe, dhe që, sipas informatave të inteligjencës tonë, ishin trajnuar në kampet në Serbi”.

“Kemi gjetur disa dokumente që na shpien në dyshimin se ka pasur individë që kanë ardhur edhe nga Rusia”, ka shtuar Sveçla. “Për pajisjet, kemi dëshmi, por për njerëzit mbetet ende vetëm dyshim”.

Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra të dielën në këtë fshat nga një grup i armatosur serbësh. Në aksionin pasues nga Policia e Kosovës u vranë tre sulmues. Tetë persona janë arrestuar, ndërsa katër nga ta u liruan në mungesë provash. Shumica e grupit ka ikur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *