Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka zbuluar detaje nga mega-operacioni “Never Forget”, që çoi në zbardhjen e 16 ngjarjeve kriminale ku ka marrë pjesë banda e drejtuar nga Laert Haxhiu.
“Zbërthimi” i të penduarit të drejtësisë, Arjan Tafani, i cili u arrestua pas grabitjes së 30 mijë eurove në një pikë të këmbimit valutor në Astir, ka çuar ndër të tjera edhe në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Durrës më 8 qershor 2022, ku u hodh në erë me tritol lokali i Noizyt.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 04:24, në lagjen Nr.13 të qytetit bregdetar duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në lokalin dhe dyqanin e rrobave, të cilët janë në pronësi të babait të reperit, Bashkim Rajku. Kjo ngjarje ndodhi fill pas sherrit që Noizy pati në Durrës me reperin nga Lushnja, Kleviol Ahmeti, i njohur me nofkën “Cllevio Serbiano”.
Sipas policisë, autorët që vendosën tritolin në lokalin e familjes Rajku janë Laert Haxhiu, Artan Tafani (39 vjeç), Lulëzim Spahia (Arapi) 28 vjeç dhe Erisian Abedini (32 vjeç).
“Shkatërrim i pronës me eksploziv, i kryer në bashkëpunim në katër raste me të dëmtuar shtetasin Erjon Çoku, Bashkim Rajku dhe Bujar Turku në dy raste”, është një nga akuzat që Rrumbullaku komunikoi për katër personazhet e mësipërm.
“Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë”, tha Policia e Shtetit.