Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij në seancën e sotme plenare ka folur për sulmin terrorist nga grupi i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Abdixhiku tha se në krye të këtij sulmi ishte krimineli i shndërruar në terrorist, Milan Radoiçiq, në mbështetje të të cilit është Republika e Serbisë.
“Qëllimi ishte i qartë, siç u kuptua nga vet sponsorizuesit e sulmit terrorist, krijimi i një realiteti të ri ne veri. Për krijimin e këtij realiteti të ri duheshin dhe viktima. Ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në Manastirin e Banjskës, si masë nxitëse e një përplasje të mëvonshme të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri”, tha Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, këtë skenar, Kosova dhe pothuajse të gjitha shtetet e dala nga lufta e shpërbërjes së Jugosllavisë e kishin të njohur tashmë.