Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Hajvali të Prishtinës, ku një person është kapur në flagrancë me drogë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 45-vjeçari është denoncuar nga një qytetar, i cili ka pohuar se i dyshuari i ka ofruar t’i shes kokainë.
Gjatë kontrollit trupor, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar disa qese me kokainë, të cilat ishin të gatshme për shitje.
I dyshurari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.