Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në zyrën e saj ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve kriminale serbe, u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa policë tjerë u plagosën.
“Ambasadori Hovenier shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e policit të Kosovës. Presidentja, ndërkaq, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb.
“Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, thekson njoftimi i Zyrës së Presidentes.