Përkundër pohimeve të kryeministrit Albin Kurti se emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, po mbanë anën e Serbisë, nga Qeveria nuk kanë treguar për Radio Kosovën, nëse për këtë arsye nuk do të marrin pjesë në dialogun me Serbinë. Analistë politikë thonë se ndërprerja e dialogut nuk duhet parë si mundësi.
Pas takimit të fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti, kritikoi emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, për pozicionim kundër Kosovës dhe anshmëri në favor të Serbisë.
Këto shqetësime, shefi i ekzekutivit i theksoi në një konferencë për media në Prishtinë, ku bëri të ditur se për punën e Lajçakut i ka shkruar letër edhe Parisit, Berlinit, Romës dhe Uashingtonit zyrtar.
Pas kësaj, Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Kryeministrit, nëse ka kërkuar zyrtarisht nga BE-ja që t’ia pamundësojë vazhdimin e mandatit emisarit për dialog dhe nëse planifikon Qeveria e Kosovës që në shenjë pakënaqësie me punën e Lajçakut, të mos marrë pjesë në vazhdimin e dialogut me Serbinë. Por, përkundër interesimit dhe pritjes disaditore, nga Kryeministria nuk kanë kthyer përgjigje.
Duke komentuar pohimet e kryeministrit Kurti, për animin e emisarit të BE-së në favor të Serbisë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi, tregon se si do të mund të kërkohej largimi i Lajçakut.
“Në këtë rast kryeministri do të duhej që me një notë diplomatike t’i drejtohej Bashkimit Evropian, ku do të kërkonte tërheqjen e Lajçakut, apo edhe suspendimin e negociatave deri në ndryshimin e emisarit. Mirëpo, letrat siç u tha se janë dërguar, nuk janë komunikim diplomatik dhe nuk kanë rëndësinë e duhur”, tha ai.
Ndërkohë, analisti politik, Visar Xani, thotë se Kosova nuk duhet ta konsiderojë si opsion ndërprerjen e dialogut si shenjë pakënaqësie me punën e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Nuk konsideroj se është metodë e duhur tërheqja nga dialogu, për shkak se do të ballafaqohemi edhe më shumë me izolim. Por, duhet të gjejmë formulën se si të kemi sukses, por jo duke refuzuar dhe duke akuzuar, për shkak se kështu Kosova po merr shumë më shumë pikë negative”, theksoi Xani.
Letra drejtuar ndërkombëtarëve, ku kryeministri Albin Kurti kritikon emisarin Lajçak për pozicionim kundër Kosovës e favorizim të Serbisë, është vlerësuar si jokorrekte nga zyrtarë të BE-së dhe SHBA-së.