Pas Distria Krasniqi dhe Nora Gjakovës, radhën sot për ta përfaqësuar Kosovën në Grand Slam Baku të Azerbajxhanit e kishin xhudistët e tjerë si Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.
Distria fitoi të argjendtën dje në kategorinë deri në 52 kilogramë, kurse Nora Gjakova u stolis me medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogramë, raporton KosovaPress.
Por suksesi i Krasniqi dhe Gjakovës nuk i përcolli sot Laura Fazliun, Loriana Kukën dhe Akil Gjakovën.
Në kategorinë deri në 63 kilogramë, Fazliu në raundin e parë kaloi pa luftë, kurse në të dytin mposhti brazilianen, Tamires Crude. Laura u ndal në luftën për çerekfinale pasi u mposht nga xhudistja austriake, Lubjana Piovesana.
Pas kësaj humbje, Fazliu vazhdoi në repesazh për të luftuar për medaljen e bronztë, por që u mposht në raundin e parë nga portugezja, Barbara Timo.
Në kategorinë deri në 70 kilogramë, Loriana Kuka e nisi raundin e parë të kësaj gare me fitore, duke e mposhtur italianen, Irene Pedrotti. Por, Loriana u mposht në raundin e dytë nga kroatja, Lara Cvjetko dhe nuk mundi ta vazhdojë garën në repesazh.
Në kategorinë deri në 73 kilogramë, fati sot nuk ishte me Akil Gjakovën, pasi që u mposht qysh në raundin e parë nga slloveni, Martin Hojak.