Në fletën e votimit është e pritshme që të gjesh emra kandidatësh të ndryshëm nga ata çfarë kanë përzgjedhur forcat politike, fyerje dhe vlerësime, por rrëfimi i një vrasje është krejtësisht i pazakontë.
Një fletë e tillë votimi është gjetur në Villasanta të Monzës, ku një 31-vjeçar ka rrëfyer një vrasje gjatë zgjedhjeve të fundit për Dhomën e Deputetëve më 25 shtator të vitit të kaluar.
Në fletën e votimit burri kishte shkruar: “Për policinë: Vrava një burrë dhe e varrosa në një kantier ndërtimi në zonën e veriut, ju lutemi bëjini një varrim të krishterë“.
Rrëfimi bëri që autoritet italiane të alarmoheshin dhe pasi identifikuan vendndodhjen e treguar nga 31-vjeçari në rrugën Fieramosca në Villasanta, nisën inspektimet dhe gërmimet në prezencën e një gjeologu mjeko-ligjor nga instituti i Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Milanos.
Konsulenti, me një specialist botanik, arkeologë dhe qen kërkimi të trajnuar, identifikuan tre zona të mundshme varrimi, por pas dy ditëve gërmimesh me qen molekularë nuk zbuluan asgjë.
Pas kësaj hetuesit e Brianzës punuan me gjurmët e gishtërinjve, duke identifikuar 31-vjeçarin që bëri rrëfimin në fletën e votimit.
Për identifikimin e autorit të mundshëm u verifikuan profilet e mbi një mijë votuesve, me 200 persona të thirrur për të kryer një vlerësim me shkrim dore në komisariatin e policisë në Monza, ndërkohë që policia shkencore e Milanos punoi për gjurmët e gishtave.
Kur 31-vjeçari është thirrur për krahasim me shenjat e gishtave, ai ka rrëfyer se ka qenë ai që e ka shkruar atë fjali në fletën e votimit.
“Nuk mund të flija më natën që kur e pashë reportazhin në televizion”, tha ai duke treguar më tej se vrasja nuk ka ndodhur dhe se ai kishte shpikur gjithçka për të bërë bujë mediatike sepse ishte i zhgënjyer nga politikanët.
“E bëra në një moment inati, nuk kam vrarë asnjeri”, rrëfeu ai. Por, në fakt, gjuetia për një trup që nuk ekzistonte i ka kushtuar autoriteteve mijëra euro nga paratë publike, ndaj 31-vjeçari është denoncuar nga policia për shpifje.