I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk ka alternativë tjetër pos dialogut për rrugëdalje nga ngërçi Kosovë – Serbi, raporton Gazeta Sinjali.
Escobar në një intervistë për REL është shprehur se është e rëndësishme që të dyja palët të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut, teksa ka bërë thirrje te pala kosovare që të jetë më konstruktive.
“Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, ka thënë ai.
Emisari amerikan ka thënë se SHBA dhe BE po përpiqen që të krijojnë kushte për normalizim të marrëdhënieve mes të dyjave vendeve.
“Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian”, ka thënë Escobar.