Tahiri: Kurti e ka pranuar Asociacionin, nuk dëshiron ta zbatojë se e di që i humb zgjedhjet

Ish-kryenegociatorja dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se dialogu tashmë ka hyrë në fazën e Asociacionit.

“Tash dialogu ka hyrë në fazën e Asociacionit. Zbatimi i saj po kërkohet qartë si nga SHBA ashtu dhe BE-ja, Siç e dimë, kjo çështje e ka sjellë Kurtin në pushtet, ai duke e kundërshtuar Asociacionin mori përkrahje të madhe nga votuesit e tij”, ka thënë ajo.

Sipas Tahirit, Kurti e ka pranuar Asociacionin, por po e fsheh për shkak që nëse e bën këtë i humb zgjedhjet.

“Mirëpo tash ka ardhur koha që Kurti ta zbatoj Asociacionin, sepse e ka pranuar me pranimin e marrëveshjes bazike, ai e ka fshehur para opinionit këtë fakt pranimi deri më sot, por nuk po mundet më sepse partnerët ndërkombëtar hapur po kërkojnë zbatimin e Asociacionit. Ndërsa Kurti e di që nëse e zbaton i humb zgjedhjet; për Kurtin ma para është pushteti se shteti”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri, ka thënë se Kurti tashmë këtë e ka dëshmuar duke pranuar shumë marrëveshje, të cilat i ka kundërshtuar.

“E dëshmoi duke pranuar marrëveshjen pa njohje reciproke, duke pranuar asociacionin madje duke i dhënë autonomi pakicës serbe, i harroi premtimet ndaj militantëve të VV-së, se kurrë nuk shkon në dialog me Serbinë, pa kërkuar Serbia falje për gjenocid ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, i harroi të gjitha, e harroi madje edhe reciprocitetin për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ju premtoi aq shumë”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Ajo, ka deklaruar se Kurti po synon ta zvarrisë zbatimin e Asociacionit deri në mbajtjen e zgjedhjeve nacionale të radhës, me qëllim që t’i fitoj zgjedhjet.

“Kurti është në kërkim të shpëtimit dhe shpëtimin po e sheh duke kritikuar ndërmjetësit evropian në dialogun e Brukselit, madje kritikon dhe Amerikën etj. Përmes kritikave dhe ankesave që shfaqin dobësinë e shtetit dhe shkelin dinjitetin e Kosovës para botës, Kurti po synon ta zvarrisë zbatimin e Asociacionit deri në mbajtjen e zgjedhjeve nacionale të radhës, me qëllim që t’i fitoj zgjedhjet, ta marrë pushtetin përsëri dhe pastaj ta zbatoj Asociacionin menjëherë. Është ky një skenar i tij që do ta dëshmoj se pushteti është para shtetit për Kurtin”, ka deklaruar ndër të tjera Tahiri në një intervistë për Front Online.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *