I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, presin që Kosova ta merr hapin e radhës në dialog. Çfarë do të bëjë Albin Kurti?
Escobar tha se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Escobar tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.”, tha Escobar.
Esobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët “të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së”.
“Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, tha Escobar për Rel.
“Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë”.
Ndërsa, Hovenier tha se Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, tha Hovenier për Rel, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai shfaq shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.
Nëse nuk e bën këtë, thotë Hovenier, do të ketë pasoja.
“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”, thotë Hovenier.
Ambasadori amerikan thekson, po ashtu, se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja.
Ndryshe, Kurti ende nuk ka treguar se cili do të jetë hapi i tij i radhës në dialogun me Serbinë.
Krejt çka ka bërë, është se ka dalë në një konferencë për media dhe ka deklaruar se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”.
Ndërsa, pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian (BE) e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.