UEFA mbylli sytë për Rumaninë, FFK: Kosova vijon rrugën ligjore kundër racizmit!

Gjobë prej 50 mijë eurosh dhe një ndeshje si vendase pa shikues. Ky ishte vendimi i UEFA për Rumaninë, pas asaj shpalosje të banerit nga tifozeria me shkrimin “Kosova është Serbi”. Menjëherë ka reaguar Federata e Futbollit të Kosovës, ku shpreh pakënaqësinë për vendimin e marrë nga institucioni europian i futbollit.

“Federata e Futbollit e Kosovës shpreh pakënaqësinë e saj në lidhje me vendimin e organeve disiplinore të UEFA-s për të dënuar Federatën e Futbollit të Rumanisë me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues.

FFK-ja do të vazhdojë rrugën e saj ligjore dhe do të paraqesë ankesë në trupat përkatëse të UEFA-s, duke kërkuar që dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë të jetë sa më i lartë i mundshëm, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në forma të tjera, në mënyrë që të shërbejë si shembull se UEFA nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë ofendime të tilla raciste ndaj një Federate anëtare të saj dhe ndaj një shteti të njohur ndërkombëtarisht. FFK-ja është e përkushtuar që të kërkoj nga UEFA, që nëpërmjet dënimeve ndaj Federatës së Rumanisë t’ia bëjë të qartë çdo federate, grupi tifozësh apo çfarëdo grupi tjetër të interesit, se shteti i Kosovës, ekipi kombëtar i Kosovës dhe Federata e Futbollit e Kosovës, duhet të trajtohen dhe të respektohen në të njëjtën formë me çdo shtet, ekip kombëtar, e Federatë tjetër evropiane që është anëtare e UEFA-s”-shkruan FFK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *