“Rruga e Re” nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), ka publikuar pjesën e dytë të 50 zotimeve tjera të programit, e që prezantuesi ka qenë kryetari i kësaj partie.
Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se do të shpalosin secilin projekt në detaje, për të treguar të djathtën e partisë, si vlerë përparimtare e zhvillimore.
Disa nga zotimet e pjesës së dytë të programit “Rruga e Re”, janë rritja ekonomike, sigurimet jetësore për policët, dixhitalizimi i gjykatave, kodimi si lëndë obligative, 5 stadiume rajonale e shumë projekte të tjera.
“Me bashkudhëtarët e Lidhjes – dhe jo vetëm – do të shpalosim secilin projekt në detaje. Do të hapim debate të gjëra në gjithë vendin. Do ta shpalosim të djathtën tonë si vlerë përparimtare e zhvillimore. Si antidot i zymtësisë së tanishme; si shërues i polarizimit përçarës; si shpërthim i ngufatjes në të shkuarën”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje ka theksuar se LDK flet për të ardhmen, sepse e shkuara s’kthehet më.
“Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane”, ka shtuar ai. “Rruga e Re” sipas Abdixhikut do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës.