Gjykata Themelore e Prishtinës merr një vendim për Burdushin: Atij i caktohet…

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, duke caktuar ekspertizë financiare, në rastin ku Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Ky vendim, është marrë të mërkurën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aprovohet propozimi i mbrojtjes të caktohet një ekspert i pavarur, i cili do të bëjë një ekspertizë tjetër, arsyeja është fakti i pakontestueshëm që edhe gjatë zhvillimit të seancave në këtë gjykatë janë dhënë propozime të shumta për administrimin e provave materiale, e të cilat prova nuk ka mundur t’i ketë asnjëri nga ekspertët e mëparshëm”, tha gjykatësi Shala.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Durim Osmani, tha se deri te ky propozim ka ardhur në mënyrë që të eliminohen këto paqartësi pasi që dy ekspertizat e mëparshme në këtë rast kanë qenë në kontradiktë në mes vete.

Ai gjithashtu shtoi se në dy ekspertizat e bëra më herët nuk kanë qenë të përfshira të gjitha provat.

“Ekspertiza nuk i ka pasur një pjesë të konsiderueshme të provave relevante, arsye tjetër në atë kohë gjatë bërjes së ekspertizës ka qenë vetëm vëllai i ndjerë i të mbrojturit tim, N.P, aq sa ka pasur informata i ka ofruar eksperti dhe atë kohë i akuzuari Peqani ka qenë në paraburgim dhe pasi ka dalë nga paraburgimi i ka siguruar ato prova”, tha avokati.

Andaj, Osmani ka thënë që me këtë ekspertizë do të përcaktohen, kreditë, të hyrat gjatë jetës dhe vlerat e aseteve të të mbrojturit të tij.

Ky propozim është kundërshtuar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pasi që sipas saj mbrojtësi i mëparshëm i të akuzuarit kishte qenë i informuar për ekspertizën e bërë më herët dhe nuk e kishte kundërshtuar të njëjtën.

“Gjithashtu, konsiderojmë se arsyet të cilat mbrojtja i thekson si arsye për angazhimin e ekspertit tjetër apo ekipit të ekspertëve nuk qëndrojnë sepse të gjitha veprat të cilat i ka cekur mbrojtja për shembull, marrja e kredive apo burimet që i thekson si të ligjshme, të gjitha ato fitime janë të paligjshme sepse janë të fituara me vepra kundërligjore”, shtoi prokurorja Bina-Rugova.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave shtesë: aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, raporti specialistik i mjekut Azar Skenderi, foto nga “falltorja”, si dhe vendimi i 14 gushtit 1990.

Ndërsa, për dy vendimet e Inspektoratit Shëndetësor të aprovuara në seancën e 1 qershorit, të sigurohen nga gjykata sipas detyrës zyrtare, gjykatësi Shala tha se nga ky Inspektorat gjykata ka pranuar një dosje por se nuk ishin të përfshira këto vendime.

Lidhur me këtë, ai tha se gjykata do të mundohet që deri në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor t’i sigurojë të njëjtat.

Gjykatësi Shala ka caktuar si datë orientuese 27 shtatorin për seancën e radhës, nëse eventualisht përfundohet ekspertiza deri në këtë datë.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

Prokuroria po pretendon se Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *