Banorëve të fshatit Gllamnik të Podujevës po u rrezikohet jeta çdo ditë për shkak të mungesës së rreth rrotullimit dhe nënkalimit në magjistralen Prishtinë-Podujevë.
Para pak ditësh, një vajzë 16 vjeçare humbi jetën tragjikisht në këtë pjesë, duke kaluar rrugën.
Banorët ankohen se nëse nuk do të bëhet zgjidhje, do të detyrohen t’i ndalin fëmijët nga shkolla ose të lëshojnë fshatin.
Prindërit treguan se detyrohen të paguajnë transport për fëmijët e tyre për t’i dërguar në mësim, ani pse largësia e fshatit me shkollë është rreth 300 metra.
Babai i dy fëmijëve nga fshati Gllamnik, Kastriot Veliu tha për KosovaPress, se për shkak të shpronësimit nuk po mund të finalizohet nënkalimi që prej katër vitesh, derisa potencoi se ky problem po e detyron që ta lëshojë Kosovën.
“Problemi këtu të nënkalimi është shteti, qeveria, ministria. Nuk kanë bërë shpronësim, dhe arsyeja është që këtu para 10 ditëve ka pas vdekje. Ka vdekur një vajzë 16 vjeçare. Edhe deri kur qeveritë tona, se jo vetëm kjo, por edhe qeveritë paraprake ngihen gjak të popullit tonë, me vdekje dhe me fatkeqësi. Është shkolla, çfarë mënyre mund ta kaloj unë rrugën me dërgu fëmijën në shkollë? Kush jep përgjegjësi, nëse mua më ndodh diçka, ose fëmijës tim? Ku jetojmë ne, deri tash nuk më ka interesuar të dal jashtë vendit. Kjo vdekje këtu, po më shtynë çdo ditë e më shumë të bindem me ikë prej këtij vendi me familje. …Nuk është duke u rregulluar nënkalimi, është në pyetje vetëm shpronësimi, nuk është bërë. Nuk i kanë ardhur asnjë ofertë prej zyrtarëve dhe punimet janë ndal. Po janë shpreh të gatshëm banorët, nëse bëhet shpronësimi”, tha Veliu.