BE përgënjeshtron Kurtin, publikon planin e shkruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas takimit në Bruksel se i vetmi që shkoi me propozim të shkruar në tavolinë ishte ai, por një ditë më vonë Kurti u përgënjeshtrua kur mediat publikuan dokument-propozimin e shkruar të Bashkimit Evropian.

I detajuar se si duhet të vazhdohet përpara, dokumenti ka të renditura nenet dhe shpjegimin se si parashihet implementimi.

Fillimisht u publikua nga Radio Evropa e Lirë duke u thirru në burime brenda Bashkimit Evropian.

Plani për implementimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë, i publikuar nga mediat, deri më tani nuk është mohuar nga ndonjë zyrtar i Bashkimit Evropian.

Dokumenti përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.

Paralelisht Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

Plani i BE-së për sekuencimin e Marrëveshjes

Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.

Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve kombëtare.

Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme.

Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes.

Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.

Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve./albaniapost

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *