Sulmohet brutalisht një zyrtar komunal i Fushë Kosovës, të dyshuarit në arrati

Zyrtarët komunalë, duke përfshirë edhe pozita të larta shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve e sulmeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën pasdite në Fushë Kosovë, ku një zyrtar i kësaj komune është rrahur brutalisht, raporton Gazeta Sinjali.  

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është sulmuar nga dy persona në afërsi të komunës së Fushë Kosovës, të cilët e kanë rrahur, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për zyrtarin P. Zogjani, i cili është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po merr trajtim si pasojë e plagëve që ka pësuar në fytyrë.

Pasi rasti është denoncuar, njësitet policore janë aktivizuar për identifikimin e dy personave të dyshuar, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe tashmë ndodhen në arrati.

Lidhur me incidentin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërmarrjen e veprimeve hetimore për kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e motivit të rastit.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Zyra për Informim në Komunën e Fushë Kosovës, por kanë qenë të paqasshëm.

Sinjali do të iu mbajë të informuar lidhur me detajet e reja të rastit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *