Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka paralajmëruar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 11 shtatorit.
Kështu ka deklaruar ai në një linjë të drejtpërdrejt teksa ka thënë se është rrugës për të shkuar te kryeministri, e ku do t’i paraqesë disa propozime të cilat priten të jenë të pakëndshme.
“Jam rrugës për te kryeministri, do t’i kemi disa propozime dhe të njëjtat fatkeqësisht nuk do të jenë të bukura. Kjo që po ndodhë te zëvendësi im, ai e ka sigurinë e tij në rrezik. Më duhet së pari ta bisedoj me kryeministrin, nëse kemi ndonjë kuptim të situatës, do t’i prezantojë me kohë ndoshta nesër nëse kemi marrëveshje”, ka thënë ai.
Rashiq, i bëri thirrje të dielën, siç e quajti ai, regjimit radikal të Serbisë ta lirojë drejtorin e ri të Komunës së Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, për të cilin tha se u arrestua më 9 shtator dhe po mbahet në Rashkë, jugperëndim të Serbisë.
Nikolla është i biri i zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radimiroviq.
Rashiqi tha më 10 shtator në një konferencë për media në Prishtinë se “arsyeja për arrestimin e Nikollës është presioni ndaj Radoicas.”
Rashiq ka theksuar se po ballafaqohen me një persekutim të vërtetë të organeve të rendit që siç thekson ai “po menaxhohet e po keqpërdoren nga ana e Serbisë dhe në veçanti nga presidenti Vuçiq”.
Ai ka thënë se Radimiroviq është dënuar me 10 ditë burgim nga Serbia.
Rashiq thotë se qëllimi i Vuçiqit është zhvendosja e serbëve që janë në Kosovë.
“Qëllimin e ka që t’i zhvendosë të gjithë serbët që janë në Kosovë, pa diplomaci pa politikë vetëm kaq, sepse ai konsideron vetëm ai zë i kritikës që mund të vijë nga ana e Kosovës ku thuhet saktë çfarë po bëhet këtu, si kanë vepruar deri tash… unë jam i sigurt që ai e ka një plan afatgjatë ku ka dëshirë t’i zhvendosë të gjithë serbët e Kosovës dhe të ketë një arsyetim se nuk ka çfarë të përpiqemi që të mbesin serbët atje, kështu që mbrapa janë të gjithë ata vetëm për përfitime financiare”, tha Rashiq për Dukagjinin.
Në anën tjetër, ai ka deklaruar se ka marrë kritika e ofendime direkt nga presidenti Vuçiq.
“Kam marrë kritika e ofendime direkt nga presidenti, çdoherë kur shkoj në Serbi më ndalin nga 3-4 orë pa kurrfarë arsyetimi, po ashtu edhe familjen time, miqtë e mi. Ky rasti i fundit i Nikollës, ai i ka pasojat direkte sepse babai i tij është politikan, është zëvendësi im”.
“Po ushtrohet dhunë fizike vetëm për shkaqe politike… As jeta e as kurrfarë çmimi që duhet ta paguani ju, nuk është asgjë për ata. Metodat të tjera janë duke nisur nga kërcënimet në vendin e punës. Sa herë që po bisedoj për gjendjen faktike këtu në Kosovë pavarësisht që po e përsëris shumë herë, sërish përfaqësuesit nuk e marrin si diçka shumë serioze. Krejt kjo që po ndodhë dhe ajo që do të ndodhë në të ardhmen do të jetë në mënyrën ku diktohet direkt nga presidenti i Serbisë, dhe mos dyshoni që është mbrapa për këto ndalesat në kufij, nuk kam kurrfarë dyshimi që ai dhe njerëzit e tij janë të dedikuar për një represion pafund pa president që do të vazhdojë edhe më tutje edhe para zgjedhjeve”, tha ai.