Qeveria e Kosovës nuk lodhet së theksuari rëndësinë e sundimit të ligjit, ndërsa kur vjen puna te respektimi i detyrimeve ndërkombëtare-ligjore, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat rreth Manastirit të Deçanit hesht, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, në një intervistë për Albanian Post.
Rohde në këtë komunikim ka pasur shumë për të thënë për nevojën e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe planin e Bashkimit Evropian për de-përshkallëzim, por ka refuzuar të zgjatet me komente për njoftimet e Policisë së Kosovës për kontrabandimin e armëve ilegale në Veri, meqë ka pohuar se “Qeveria federale nuk ka informacione të këtij lloji”.
Për këtë arsye, Rohde tha se në të tilla raste u referohet “komunikatave të EULEX-it”.
“Ajo (Qeveria e Kosovës) nuk lodhet së theksuari rëndësinë e sundimit të ligjit. Por në sundim të ligjit bën pjesë edhe plotësimi i detyrimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, të cilat janë marrë përsipër, siç është Asociacioni, ose edhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin ortodoks serb në Deçan”, deklaroi diplomati gjerman.
Rohde bën edhe një theksim tjetër sa i përket Asociacionit.
Në kohën kur shumë palë janë angazhuar për të gjetur një zgjidhje rreth modaliteteve se si mund të duket statuti i Asociacionit, duke bërë propozime të ndryshe – “madje edhe kryeministri i Shqipërisë” – është vetëm Qeveria e Kosovës që s’e ka një të tillë në tavolinë.
“Fillimisht këtu duhet kujtuar që Kosova që në vitet 2013 dhe 2015 e ka marrë përsipër obligimin ligjor për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mbi këtë bazë ne dhe partnerët tanë po e kërkojmë themelimin e Asociacionit – edhe atë konform specifikimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Rohde.
“Nëpërmjet kësaj (respektimit të vendimit të Kushtetueses) sigurohet që të mos krijohet një ‘shtet brenda shtetit’ i serbëve të Kosovës”, thekson ambasadori, duke shtuar se “akterë të ndryshëm kanë paraqitur statute të mundshëm për themelimin e Asociacionit, apo së paku kanë zhvilluar diskutime për statute, ndër ta, Fondacioni Friedrich Ebert, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, madje edhe kryeministri i Shqipërisë e ka bërë një propozim”.
Rohde në Kosovë ka filluar shërbimin nga korriku i vitit 2020, derisa në diplomacinë gjermane nga viti 1988 kur kishte nisur në Akademinë Diplomatike në Gjermani.
Para 33 vjetësh do fillonte me kohë të plotë në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, kurse shërbimin diplomatik si diplomat i ri jashtë Gjermanisë do ta startonte në Xhakarta të Indonezisë.
Pas qëndrimit dy vjeçar atje dhe kthimit në pozita të ndryshme në Gjermani e Bashkim Evropian, iu rikthye shërbimit në lindjen e largët, duke u vendosur në Osaka, Kobe në Japoni.
Shërbimi i tij do të përfshinte lëvizje të tilla vazhdimisht, derisa në Kosovë erdhi pas përfundimit të misionit katër vjeçar në Kolombo të Shri Lankës.
Prejse është pozicionuar si ambasador i Gjermanisë në Kosovë, marrë parasysh edhe rëndësinë e Gjermanisë si një nga partnerët më të afërt të Kosovës, ai ka qenë shumë aktiv.
Kur kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, bashkë me presidentin e Francës, Emmanuel Macronn, bën propozimin e tyre, tashmë të brenduar “franko-gjerman”, si propozim marrëveshje për Kosovën dhe Serbinë, atëherë Rohde u obligua të jetë edhe më prezentë.
Gjermania, si bartëse të këtij procesi dialogues për gjetjen e rrugës drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, bashkë me Francën, i ka përqafuar menjëherë edhe si qeveri në vete, masat shtrënguese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat u vendosën në mungesë konstruktiviteti.
Por, Rohde deklaron se “masat e paralajmëruara nga BE-ja dhe të pasqyruara nga qeveria federale janë të kthyeshme në çdo kohë”.
“Mirëpo për këtë ne duhet të shohim lëvizje nga ana e qeverisë së Kosovës, për të depërshkallëzuar situatën në Veri”, shton.
Por, a nuk ishte një lëvizje kur Qeveria e Kosovës vendosi të reduktojë numrin e policëve nga ndërtesat komunale?
“Përbën një hap të parë”, pohon Rohde, por me shpresë “se do të pasojnë hapa të tjerë”.
Kurse se çfarë saktësisht duhet të bëhet, ai thotë se është e lehtë.
Thjesht të ndiqen udhëzimet e Bashkimit Evropian.
“Masat e paralajmëruara nga BE-ja dhe të pasqyruara nga qeveria federale janë të kthyeshme në çdo kohë. Mirëpo për këtë ne duhet të shohim lëvizje nga ana e qeverisë së Kosovës, për të depërshkallëzuar situatën në Veri. Për këtë BE-ja e ka paraqitur një plan tre-pikësh: 1) Tërheqja e Policisë së Kosovës, si dhe e të gjithë kryetarëve të zgjedhur të komunave nga ndërtesat administratave komunale. Dy kryetarët, në Zubin Potok dhe Zveçan tashmë punojnë “nga distanca” dhe tregojnë që kjo funksionon. 2) Zgjedhje të reja në katër komunat veriore me pjesëmarrje të plotë të serbëve të Kosovës. 3) Angazhim konstruktiv i Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Këtu bën pjesë shprehimisht edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne llogarisim që Prishtina dhe Beogradi do t’i zbatojnë këto masa shpejtë. Fakti që qeveria e ka reduktuar praninë e policisë në komunat veriore për 25%, përbën një hap të parë. Ne shpresojmë se do të pasojnë hapa të tjerë”, tha ai.