Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër D.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Grabitja” nga neni 317, Grabitja” e ngelur në tentativë nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 28, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, më datë 27.01.2023 rreth orës 15:09min, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “F.” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër- të dëmtuarës “F.”, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit – në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filiales Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para, me ç’rast arrin që t’i marrë 11,370.00 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë) euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Grabitja”sipas KPRK-së.
Po ashtu, i njëjti me me datë 03.05.2023 rreth orës 16:01min, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “F.”me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës “F.” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit. I gjendur në situatë konfrontimi dhe i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Me këto veprime ka kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri D.G, datë 04.05.2023 rreth orës 13:35min, në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “C.R.” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës “C.R.” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit. E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2,280 (dymijë e dyqind e tetëdhjetë) Euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të veturës me të cilën largohet në drejtim të panjohur.
Me këto veprime D.G., ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 i KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.