Euractiv: Greqia mohon deklaratën e Kurtit se është më afër që ta njohë Kosovën

“Greqia është ajo që po prinë nga këto pesë shtete (mosnjohëse) kur jemi te përafrimi për njohje,” – u shpreh kryeministri Albin Kurti në një intervistë për TVP World. Kjo deklaratë mori dhenë dhe ngjalli optimizëm në vendin tonë. Por, fatkeqësisht del se po ka kundërefekt deri tash. E kjo qasje e Kurti po shihet si jodiplomatike dhe e panevojshme.

Në një raportim të bërë sot nga Euractiv përmes burimesh thuhet se “pozicioni grek (sa i përket çështjes së Kosovës) nuk ka ndryshuar.”

Ka pasur spekulime të shumta se Greqia do ta njihte Kosovën, por megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kryeministri Kurti kishte qenë i paqartë edhe në lidhje me fushatën e mundshme te shtetet mos-njohëse pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit më 27 shkurt e më pas edhe të Ohrit më 18 mars.

“Ne i drejtohemi në çdo takim që organizojmë… Po nuk i jam drejtuar unë personalisht me letra. Mirëpo këto janë edhe çështje të ndjeshme të lobimit. Nëse unë ju tregoj se kujt i kam shkru letër javën e kaluar unë bëj edhe dëm sepse menjëherë i shkruan Serbia atij shteti…” – kishte thënë Kurti në një intervistë në pyetjen se a i kishte shkruar ndonjërit prej shteteve mosnjohëse.

“Huqje diplomatike e Kurtit”

Anëtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar pas raportimeve se Greqia e ka demantuar kryeministrin, Albin Kurti se është afër njohjes së Kosovës.

Hamiti ka thënë se kjo deklaratë e tij dhe demantimin nga Greqia, është një tjetër huqje diplomatike e Kurti.

“Paralajmëroi kryeministri Kurti para pak ditësh se Greqia është më afër njohjes së Kosovës. Provokoi pa nevojë demantin e Greqisë, që thotë se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar. Një Qeveri e përgjegjshme e Kosovës nuk duhet të veprojë dhe të komunikojë si kjo e Albin Kurtit – në dëm të Kosovës. Prej padijes, sigurisht!” – ka shkruar ndër të tjera Hamiti në Facebook.

Përveç Hamitit edhe njohës i fushës së diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtar, Valon Murtezaj, ka kundërshtuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti në raport me deklaratën e tij për Greqinë.

Ai ka thënë se në diplomaci nuk duhet të përmendet datat, apo siç shkruan ai: “Stili ‘unë e di datën’ në diplomaci nuk funksionon.”

“Një nga vështirësitë e punës në diplomaci është se duhet tërë kohën të tregohesh i përmbajtur në menaxhimin e informacioneve që posedon, apo për ato çfarë është duke ndodhur. Dhe kjo është një aftësi që nuk e kanë zakonisht qeveritarët politikanë. Pra, ka një dallim, ndërmjet zejes së diplomacisë dhe asaj të qeverisjes në kuptimin e ngushtë të fjalës. Pra, ne mund të kemi plot qeveritarë, njerëz që mbajnë poste qeveritare, që janë politikanë të zakonshëm, por, është shumë vështirë të ndërtohen diplomatë përnjëmend.” – ka shkruar ai.

“Ngarendja për të treguar se do të na njeh një shtet, përgjatë historisë, na ka kushtuar shumë herë me mosnjohje dhe ndrrim të pozicionit, apo shtyerje të aktit të njohjes formale. Sepse ndikohet konteksti. Stili ‘unë e di datën’ në diplomaci nuk funksionon. Kësaj radhe Greqia, herave tjera ka ngjarë për vende të tjera.” – ka shkruar ndër të tjera Murtezaj në Facebook.

Kujtojmë se puna e Qeverisë Kurti në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me shtete e tjera është kritikuar në vazhdimësi.

Qasja e qeverisë shpesheherë sipas njohësve të fushës ka qenë e ashpër dhe jodiplomatike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *