Në fund të muajit do të nënshkruhet kontrata për rrugën Tetovë – Prizren

Kontrata mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për rrugën Tetovë-Prizren pritet të nënshkruhet në fund të muajit shtator. Kështu thonë kompetentët të cilët nuk japin afat konkret se kur do të fillojnë punimet, por shpjegojnë procedurat në të cilat ky projekt duhet të kalojë para se të nisë të merr formë.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Ejup Rustemi është shprehur se do të ketë edhe një marrëveshje për ndërtimin e tunelit të përbashkët.

“Besoj se do të kemi edhe marrëveshjen e cila planifikon projektimin e tunelit të përbashkët. Pra pas asaj ne vazhdojmë me projektimin e rrugës që të çon deri në hyrje të tunelit. Së pari pra kemi projektin, e kemi revidimin e projektit dhe pas asaj e kemi realizimin e punimeve. Unë nuk dëshiroj që tani të flas për realizim të tillë të asaj rruge por flas për procedurat që do të na bien deri aty”, tha Ejup Rustemi.

Zëvendësministri i Transportit, Bekim Rexhepi tha se janë harmonizuar të gjitha detajet me Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe se tani është çështje kohe se kur do të nënshkruhet.

“Pasi që bisedat në aspekt profesional kanë përfunduar, dhe kjo rrugë me rëndësi të madhe për banorët e kësaj zone besoj se kontrata atje është dërguar në Ministrinë e Infrastrukturës, besoj se në muajt në vazhdim do të kemi një kontratë të nënshkruar mes dy palëve sepse bëhet fjalë për një kontratë të cilën detajet veçse më janë të harmonizuara dhe besoj që së shpejti do të nënshkruhet”, tha Bekim Rexhepi, zëvendësministër i Transportit.

Rruga Tetovë-Prizren pritet të realizohet përmes tunelit 6.4 kilometër dhe me nga 15 kilometër rrugë të shtruar në të dy shtetet që ta lidhin këtë tunel me rrugët ekzistuese. Tentimi më i madh për hapjen e kësaj rruge ka qenë i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili jo rrallë herë e ka përmendur dhe ka kërkuar bashkëpunim nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për këtë projekt.

Hapja e kësaj rruge do të thotë turizëm më të madh dhe klimë më të mirë biznesore për të dy qytetet, atë të Tetovës dhe Prizrenit pasi që rruga dhe koha do të përgjysmohej me hapjen e kësaj traseje.

Ndërtimi i kësaj rruge ka hapur një debat të madh në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ku ka edhe përkrahës por edhe kundërshtarë. Krahas kryeministrit të Kosovës që ishte në vizitë në Tetovë dhe Shkup, poashtu edhe Ministri Transportit Liburn Aliu, kishte ardhur posaçërisht në Tetovë për të takuar kreun e BDI-së Ali AHmeti lidhur me ndërtimin e kësaj rruge.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *