Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Gjermaninë për shpalljen kampion bote në basketboll, në ndeshjen ku mposhti Serbinë me rezultat 83:77.
Osmani, me anë të një postimi në ‘Twitter’ ka thënë se fitorja e, siç iu referua ajo, miqve gjermanë ishte më se e merituar.
“Kampion bote! Urime për miqtë tanë gjermanë për një fitore më se të merituar dhe historike të Kupës së Botës”, ka shkruar presidentja.
Finalja e Botërorit është zhvilluar të dielën në Manila të Filipineve. Ndeshja ishte dramatike dhe e hapur deri në fund.
Shkëputjen e madhe gjermanët e bënë në çerekun e tretë, të cilin e fituan 22:10.
Por më pas ndeshja u hap sërish dhe u vendos në aksionet e fundit. 21 sekonda para fundit, Dennis Schroeder shënoi për 81:77.
Në aksionet vijuese Serbia dështoi. Schroeder më pas realizoi dy gjuajtje të lira për 83:77, 12 sekonda para fundit. Rezultati më nuk ndryshoi.
Gjermania ka fituar titullin e botës për herë të parë.