Suedia i kthehet praktikës së librave dhe dorëshkrimit në shkollat e digjitalizuara

Derisa fëmijët në Suedi u kthyen në bankat shkollore për fillimin e vitit të ri shkollor muajin e kaluar, shumë mësimdhënës filluan t’i japin më shumë rëndësi praktikës së teksteve shkollore të printuara, leximit në qetësi dhe dorëshkrimit, duke i kushtuan shumë më pak kohë tabletëve, kërkimeve të pavarura online dhe aftësive në tastierë.

Rikthimi i mënyrës tradicionale të nxënies së mësimeve është një përgjigje ndaj pyetjeve të politikanëve dhe ekspertëve nëse qasja e vendit ndaj edukimit tejet të digjitalizuar, përfshirë futja e tabletëve në kopshte, ka çuar në rënien e aftësive themelore të fëmijëve.

Ministrja e Arsimit e Suedisë, Lotta Edholm, e cila u emërua 11 muaj më parë si pjesë e një koalicioni të ri qeveritar të qendrës së djathtë, ishte njëra nga kritiket më të mëdha të zbatimit të plotë të teknologjisë në shkolla.

“Studentët suedezë kanë nevojë për më shumë tekste shkollore. Librat fizikë janë të rëndësishëm për nxënien e mësimit”, pati thënë Edholm në mars.

Ministrja njoftoi muajin e kaluar se Qeveria dëshiron ta tërheqë vendimin e Agjencia Kombëtare për Arsim për bërjen e pajisjeve digjitale të detyrueshme në shkollat parafillore. Qeveria planifikon të shkojë edhe më larg dhe t’i japë fund plotësisht mësimit digjital për fëmijët nën moshën 6-vjeçare, tha Ministria për Associated Press.

Megjithëse studentët suedezë arrijnë rezultat mbi mesataren evropiane në aftësitë për lexim, një hulumtim mbarëkombëtar për nivelin e leximit të nxënësve të klasës së katërt, gjeti se ka një rënie në mesin e fëmijëve suedezë nga viti 2016 deri më 2021.

Më 2021, nxënësit e klasës së katërt shënuan mesatarisht 544 pikë në lexim, një rënie nga mesatarja e 555 pikëve në vitin 2016. Megjithatë, paraqitja e tyre në lexim e vuri Suedinë në vendin e shtatë, baras me Tajvanin, në garën e përgjithshme botërore.

Singapori, e cila është në vendin e parë në renditje, e përmirësoi rezultatin e leximit nga 576 në 587 gjatë periudhës së njëjtë.

Për ta luftuar rënien e aftësive të leximit të nxënësve të klasës së katërt, Qeveria suedeze njoftoi se ka investuar 60 milionë euro në blerjen e teksteve për nxënësit këtë vit.

Por, jo të gjithë ekspertët janë të bindur se kthimi te tekstet shkollore tradicionale është patjetër gjëja më e mirë për nxënësit.

Ta kritikosh ndikimin e teknologjisë është “një lëvizje popullore e politikanëve konservatorë”, tha Neil Selwyn, profesor i edukimit në Universitetin Monash në Melburn, Australi.

“Kjo është thjesht një mënyrë për të treguar përkushtimin ndaj vlerave tradicionale”, shtoi ai./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *