“Zajednicë për njohje” | Albin Kurti mundohet ta gjejë zgjidhjen e rëndë për Kosovën te “serbofilia”, “e keqja e Kosovës” dhe te “Rusia në Urën e Ibrit”

Njerëzit kryesorë të partisë së kryeministrit Albin Kurtit kanë filluar ta prezantojnë një ide që mund të tingëllojë e re për kompromisin e mundshëm të Kosovës me Serbinë – “Zajednicë për njohje”.

Çuditërisht, kjo ide mbështetet në përdorimin e Zajednicës, kundërshtimi i së cilës e rriti politikisht Kurtin dhe Vetëvendosjen.

“Ta pranosh Zajednicën është serbofili”, “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit [në Mitrovicë]”, “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”, “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”, “[Zajednica] Është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, prej kohësh nuk kanë më kuptim këto deklarata të ashpra të kryetarit të saj, Albin Kurtit, me të cilat ai kundërshtonte Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti është pajtuar për themelimin e Zajednicës kur pranoi Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

Pavarësisht këtyre qëndrimeve të forta opozitare, njerëzit kryesorë të partisë së Kurtit kanë filluar të prezantojnë ide sesi mund të duket kompromisi që mund ta bëjë Kosova në dialogun me Serbinë.

Njeriu i dytë në Vetëvendosje dhe aktualisht kryeparlamentar, Glauk Konjufca, ka thënë hapur se kushdo që e merr ta bëjë Asociacionin pa kurrfarë njohje nga Serbia është tradhti.

“Nuk ka alternativa, janë dy alternativa. Kjo rruga e Kosovës, edhe një rrugë tjetër. Rruga që e do më shumë Serbia dhe cila është ajo rrugë? Ju keni me bë Asociacionin. Asociacioni ka me pasë formën e kompetencave ekzekutive, sepse ju e keni obligim të 2013-tës, e kur Kosova e realizon atë, palët janë të barabarta, fillojnë prej zeros. E këqyrim ne si bashkësi ndërkombëtare me bind Vuçiqin mos po e bën naj pranim te Kosovës. Unë nuk besoj, është mashtrim kjo shumë i madh. Edhe ka me hi si tradhtar në histori të Kosovës kush e bën atë, kushdo, unë nuk po ia di emrin. Kushdo që e merr me e bë Asociacionin pa kurrëfarë njohje prej Serbisë, as njohje defacto as çfarëdo, ku Serbia s’e merr garancën që sjelljen shtetërore me… Masi të ndodh kjo, kur të ndodh njohja de facto nga ana e Serbisë, pastaj edhe obligimi prej 2013-tës shumë lehtë bëhet. A e di sa kollaj bëhet, e bën një mekanizëm koordinues të disa kompetencave komunale, ajo kollaj bëhet, për 2 orë bëhet, për 1 minutë bëhet”, tha Konjufca.

Kjo deklaratë e Konjufcës mund të vlerësohet si një qëndrim i ashpër në raport me kryeministrin Kurti, i cili tashmë e ka pranuar themelimin e Zajednicës pa asnjë kushtëzim të vendosur ndaj Serbisë apo edhe si një kërkim-shpëtimi për të dalur nga rruga në të cilën ka hyrë Kurti me pranimin e Marrëveshjes Bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit të saj më 18 mars në Ohër, në përmbajtjen e të cilave nuk përmendet askund njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vetëm një ditë pas Konjufcës, edhe deputeti i VV-së, Agon Batusha, në emisionin debatues ‘’Click” të RTV21, duke folur për Asociacionin mori një shembull interesant krahasimor për themelimin e tij. Ai tha se Asociacioni është një lloj si shishja me ujin.

‘’Përderisa pala serbe nuk njeh asgjë të Kosovës, pra dëshirojnë ta vendosin ujin në një vend apo shishe që nuk e njeh, pra pa qenë shishja nuk mund të vendoset uji, pra ajo do të vendos shishen pastaj të vijë uji, prandaj duhet bërë disa hapa nga ana serbe dhe të kemi njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve si në marrëveshje”, tha Batusha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *