Kurti ftohet të dëshmojë në mbrojtjen e serbit të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së të dyshuarit për krime lufte, Dragisha Millenkovic, që kryeministri Albin Kurti të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.

Avokati Dejan Vasic të martën e njoftoi zyrtarisht Kurtin, madje ia dorëzoi edhe pyetjet që planifikon t’ia parashtrojë.

Ndërsa i gjithë procesi, sipas tij, mund të zgjasë më pak se një orë.

“Meqë, prokuroria ka aprovuar kërkesën për dëgjim të kryeministrit Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit, sot e kam dorëzuar një kërkesë të re përmes së cilës e kam njoftuar kryeministrin që prokurori special e ka miratuar kërkesën që të ftohet si dëshmitar, dhe i kam lënë të dhënat e mia, nëse ka nevojë që unë të takohem me kryeministrin për përmbajtjen e dëshmisë së tij. I kam dorëzuar edhe pyetjet që për mua janë të rëndësishme për të marrë përgjigje nga dëshmitari, dhe mendoj që intervistimi do të mund të zgjasë rreth 15 minuta”, tha Vasic.

Avokati i të dyshuarit për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit pret që Kurti t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të dëshmuar rreth ngjarjeve që pretendon se lidhen me klientin e tij.

“Nuk kemi marrë përgjigje deri tash, ka qenë koha e pushimeve dhe me gjasë kryeministri nuk ka qenë në dispozicion, por pres të marrim përgjigje në këtë, pasi është çështje urgjente, ka të bëjë me çështjen e paraburgimit të të dyshuarit”, tha Vasic.

Sipas avokatit Dejan Vasic, Kurti si i burgosur në atë periudhë mund të dëshmojë për pafajësinë e Dragisha Millenkovicit, i cili u arrestua në qershor të këtij viti, dhe dyshohet se gjatë luftës, në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit, ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.

Zyra e Kryeministrit nuk ka konfirmuar gjatë ditës se si do të veprojë kryeministri Kurti në këtë rast, i cili gjatë muajit kishte thënë për televizionin që për çdo kërkesë zyrtare, Prokuroria si dhe mbrojtja do të marrin përgjigje. /atv

Ndryshe, gjatë një seance për serbin e arrestuar për krime lufte në Kosovë, Dragisha Milenkoviç, avokati i këtij të fundit ka thënë se është rënë dakord që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të jetë dëshmitar i mbrojtjes.

“Albin Kurti ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë. Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ai kaloi shumë kohë duke biseduar”, tha avokati Dejan Vasiç, raporton mediumi serb Danas.

Avokati pret mbështetjen e prokurorisë speciale lidhur me këtë propozim dhe bashkëpunimin e mirë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit nesër përmes zyrës së Qeverisë së Kosovës do t’i dërgojë kërkesë për këtë dëshmi, sipas AP.

“Shpresoj që kryeministri disi ta mbajë mend mirë atë periudhë, duke qenë se ato ishin momente dramatike në jetën e tij dhe besoj se Dragisha do t’i kujtohet. Nga ana ime do të përgatis dokumentacion nga ajo kohë që të mos ketë mosmarrëveshje në lidhje me identitetin e të dyshuarit”, shtoi Vasiç.

“Jam absolutisht i sigurt se kryeministri do të jetë i lumtur të shfaqet dhe shpresoj vetëm që kujtimet e tij për atë periudhë të jenë ende të freskëta”.

Avokati vuri në dukje edhe gjendjen e keqe shëndetësore të klientit të tij.

“Ai u mor në paraburgim me sëmundje kronike, veçanërisht të lidhura me diabetin dhe problemet me shikimin”.

Dragisha Milenkoviç është arrestuar më 21 qershor të këtij viti.

Prokuroria Speciale e akuzon Milenkoviç-in për krime lufte kundër popullatës civile në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999.

Për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviçit, me ditë të tëra ka pasur protesta para stacionit policor në Graçanicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *