Ish-kryetari i AAK-së në Prizren kërcënon stafin e RTV Besa, reagon AGK-ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka njoftuar se stafi i RTV Besa në Komunën e Prizrenit është kanosur e kërcënuar gjatë ditës së djeshme nga ish kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, Lulzim Kabashi.

Sipas një njoftimi drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, redaksia e këtij mediumi ka thënë se: “Ish kryetari i AAK-së në Prizren Lulzim Kabashi ka “bastisur” dje pasdite zyret e RTV Besa ku duke u kanosur dhe kërcënuar mediumin lokal RTV Besa. Ai ka kërcënuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit.”

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin dhe kanosjen ndaj kolegëve të mediumit lokal, RTV Besa, njëherësh i bën thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që kolegët të vazhdojnë të kryejnë profesionin e tyre pa u penguar”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *