Një rast i pazakontë ka ndodhur në Mat ku një 48-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së tij, por historia nuk mbaron me kaq.
48-vjeçari, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses, kishte paguar një person nga Kosova, për ta shëruar, pasi pretendonte se gruas së tij i kishin bërë magji.
Por sikurse duket në pamjet e sjella nga policia e Matit, personi që supozohet se i heq asaj magjinë, e godet atë me kaçavidë në disa pjesë të trupit.
36-vjeçari, i cili vinte nga Kosova në banesën e 48-vjeçarit, për të “shëruar” 33-vjeçaren po ndiqet penalisht për mashtrim.
Ndërsa, D. B., 48 vjeç, banues në Burrel, ( i dënuar më parë për kanosje dhe kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë) është arrestuar në kushtet e flagrancës.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 380 copë fishekë luftarak.
33-vjeçarja, si pasojë e dhunës është dërguar nga familjarët e saj për trajtim mjekësor dhe në spitalin psikiatrik, Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.