Mundësi manipulimi me mjetet e ndara për librat

Edhe këtë fillim javë, radhë të gjata janë parë para librarive për sigurimin e teksteve shkollore. Librashitësit thonë se me disa nga tekstet nuk janë furnizuar ende nga shtëpitë botuese, për shkak të vonesave në protokollimin e tyre nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Mungesa e disa librave shkollorë nëpër libraritë e kryeqytetit ka vënë në sfidë nxënësit dhe prindërit e tyre.

Disa nga libraritë e kryeqytetit, mungesën e një numri të teksteve e arsyetojnë me vonesën e vendimit për protokollimit të tyre nga ana e MASHTI-t. Për pasojë, shumë nxënës javën e nisën pa kompletimin e librave

“Mu m’ka ndodhë mos me i pasë shumë libra. Se kom gjuhë shqipe, matematikën, anglishten edhe njeriu dhe natyra. Se m’ka thanë nuk janë prodhu hala edhe ka thanë munesh me ardhë me i marrë pas dy ditesh ose nesër”, tha Enea Dushi, nxënëse.

“Nuk e kom pasë njeriu dhe natyra edhe matematikën…ka thanë hajde para dy tri ditëve sepse i kemi me porosi prej Shqipërisë…”, tha Fiona Havolli, nxënëse.

“…njeriu dhe natyra…nuk i ka gjetë prindi jem…”, tha Olsa Mataj një nxënëse tjetër.

Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani shprehet optimist se problemi me kompletimin e teksteve shkollore do të tejkalohet brenda javës.

“Dy tituj si kam gjetë të klasës se pestë, i kom kërku në katër librari të qytetit për vajzën, por, besoj qe brenda javës i gjejë, u interesova thanë që kanë dalë prej botimit, kam kërku tri ditë rradhazi…Ka pasë prind që i kanë pasë llogaritë bankare të bllokuara, ka prind sidomos të komuniteteve që nuk kane qasje në E-Kosova dhe kanë probleme përdorimi, por ne i’u kemi ofru asistencë, ndihmë, të i’u ndihmojmë rreth procedurave, krijimit të llogarive të tyre që të iu dalin mjetet dhe fëmijët e tyre të pajisen me libra. Dhe uroj që të mos iu ndërrohet destinacioni mjeteve që janë për libra, sepse ka raste që kërkohen librat e vjetëra në mënyrë që mjetet të përdoren për diçka tjetër”, tha ai për RTV21.

Mësuesja Naxhie Fejzullahu, thotë se nga prindërit e nxënësve të saj, nuk ka pasur ankesa për aplikimin për rimbursimin e teksteve shkollore.

“Janë disa nxënës që nuk i kanë blerë, por, në përgjithësi nuk kemi hasur vështirësi në gjetjen e teksteve të përcaktuara. Sa i përket aplikimit nuk kemi pasur ankesa nga ana e prindërve, edhe tek librat nuk kanë hasur ndonjë vështirësi në përjashtim kur dmth është shpenzuar sasia, tek njeriu dhe natyra, kemi pasë disa nxënës që na treguan se nuk kishte sasi të majtueshme”, u shpreh ajo.

Aplikimi për rimbursim të teksteve shkollore do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *