“Pas plagosjes së ushtarit Gani S Uka në oborrin e vet, Mustafa ishte përpjekur dhe e kishte tërhequr Ganiun, por kur kthehet në shtëpi i gjen të vrarë: nënën, gruan dhe dy vajzat 10 dhe 12 vjeçare”. Kjo është vetëm një copëz ngjarjeje e shkëputur nga ditari qindra fletësh i 75 vjeçarit, Jahë Jusufi nga fshati Plluzhinë i Komunës së Skenderajt, ditar ky që përgjatë pesë vjetëve ka ngërthyer në vete mijëra ngjarje të luftës e të pajtimit të gjaqeve, që tani ngjallin emocion e ngazëllim, kur kujtohen nga vetë autori.
Jusufi ndan për KosovaPress, një pjesë nga ditari në të cilën përmend edhe arsyen se pse ka vendosur të mbledhë shënime.
“Për ta pasur një pasqyrë më të qartë pas gjithë këtyre djegieve, granatimeve, demolimeve, shkatërrimeve barbare në ekonominë e fshatit. Me 12.11.98, bashkë me arsimtarët Cen Nurën, mblodhëm shënime, që një ditë ndoshta do të flasin dhe do të lënë gjurmë në historinë e fshatit Plluzhinë, mbi të cilin armiku më 25 shtator 98, si në fshatrat e tjera përreth dogji e poqi çdogjë mbi tokë, por dashurinë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës vetëm se na çelikosi, ndërsa sytë e mbyllur të të vdekurve vetëm na i kanë hapur sytë tanë për të parë se ç‘mund të bëjë një sllav i ndryrë, mbi një popull liridashës. Nga Tica, kuril i shkollës, vritet edhe Ramë Sinani i Plluzhinës”, u shpreh ai.
“Edhe tri viktima në prag të lirisë”, titullohet ngjarja tjetër që “shtrihet”, në ditarin e Jususfit. Ngjarje kjo që tregon për vrasjen e disa personave nga forcat serbe më 11 qershor të vitit 1999.
“Edhe tri viktima në prag të lirisë, tërhiqen forcat serbe edhe nga rrethi i ynë. Mëngjesi i djeshëm për këto ditë ishte i kobshëm, rreth orës 4:40 të mëngjesit në malin e kosovave u vranë mizorisht Daut Hoxha dhe miqtë nga Damaneku: Bejtë Nebih Nebiu (23 vjeç) dhe Vesel Halil Nebihu, pothuajse i të njëjtës moshë…Vrasja e këtyre të treve, si dhe Ramiz Sadik Rrecit nga Siqeva, ishte shumë i dhunshëm, pasi barbarët nga këto anë po tërhiqen që nga mëngjesi. Qofshin këto viktimat e fundit në përqafim të rrezeve të lirisë”, tregoi Jusufi.
Ani pse në moshë të shtyrë dhe me pengesa në të folur, për shkak të sulmit në zemër pesë vite më parë, Jusufi nuk përton që me nostalgji t’i shfletojë faqet e ditarit, i cili daton që nga viti 1995, duke treguar për një situatë që një bashkëvendas i tij kishte gjetur të vrarë gjysmën e familjes.
“Të dielën e 16 majit, barbarët më të hyrë në lagjen e Bekajve të Ticës, pas plagosjes së ushtarit Gani S. Uka në oborrin e vet nga forcat serbe, thuhet se Mustafa ishte përpjekur dhe e kishte tërhequr Ganiun, kur kthehet në shtëpi gjen të vrarë: nënën, gruan, vajzën Halimen-nxënëse e klasës së tetë dhe tjetrën 10-12 vjeç”, u shpreh Jusufi.
Këto shkrime që secila nga to përmban një ngjarje dhe emocion në vete, janë të veçanta për Jusufin, prandaj ai shpreh dëshirën që t’i publikojë si libër në të ardhmen.
“Përafërsisht ditari ka filluar prej 20 gushtit 95, deri në fund, mbaron diku me 6 dhjetor 1999… 25:32 Kam menduar shumë si ta emëroj, kam lexu shumë ditarë, kam menduar t’ia lë “Shënime të Shkapërderdhura”, sepse janë shkapërderdhur në shumë fletore, besa edhe unë vetë jam shkapërderdhur nga pak gjuhësisht etj. Nuk e di pak shkapërderdhur, po më vjen si titull pak i gjatë, por më kanë ofruar ta botoj ditarin, por nuk kam përvojë në botim…Kisha pas qejf, kam botu në revistën “Shkëndije”, shumë tregime e shumë ngjarje, kam pasur dëshirë t’i bashkojnë ato dhe këto, të bëjë një libër, por ende nuk kam arritë”, tregoi Jusufi.
Ai tregon se si kishte filluar pasioni i tij për të shkruar ditarë dhe kujton fatin e dy ditarëve paraprak. Njëri i djegur në grazhë gjatë luftës dhe tjetri në Këshillin Lokal të Emergjencës në Likofc, ku edhe kishte punuar.
“Ditarin e kam filluar në vitet e ‘80, pikërisht, ka qenë vera e vitit ‘80-‘81, në atë kohë mori nxehtësi e madhe, më interesoj të shkruaj, se në Greqi shkoi temperatura 42 gradë, kurse te na kishte shkuar temperatura 39 gradë diku. Aty fillova të merrem me shënime të ndryshme… 21:41” Ata dy ditarë kanë përmbajtje të ndryshme, duke filluar nga puna në shkollën fillore 2 korriku, tash Ismet Uka në Ticë, pastaj ecurinë mësimore, qysh ndërprehej mësimi, qysh vazhdonte, qysh punonim nëpër lokale të ndryshme, qysh përpiqeshim vazhdimisht. Tjetra ka pas shumë shënime për pajtimin e gjaqeve, qysh shkonim, qysh thonim, kujt i falnim”, tha Jusufi.
Jusufi, jo rastësisht përmendi pajtimin e gjaqeve si pjesë të shkrimeve të tij. Kjo pasi, ai bashkë me Anton Çettën, Muharrem Dërgutin dhe Idriz Rrecin ishin faktorët për pajtimin e gjaqeve të mbi 20 familjeve, në fshatrat Aqarevë, Abri, Ticë, Plluzhinë dhe Likofc gjatë vitit 1990.
“U aktivizova shumë në pajtimin e gjaqeve, dhe korrëm suksese të jashtëzakonshme, në krye me Anton Çetën. Ne e kishim edhe Muharrem Dërgutin dhe Idriz Rrecin…Kam marrë pjesë afërsisht në 20 familje, kryesisht në Aqarevë dhe në Abri, pak në Ticë, pak në Plluzhinë ngatërresa, pak në Likofc…Saqë kur jemi shku në Abri në një rast, mixha Ramë, Ramë Gashi, më ka thënë “E bre Jahë përpak me u koritë mos me ja falë”…Kur ka ardhë pajtimi i gjaqeve në Likofc, shkova te i madhi Anton Cetta, thashë zotri Anton që fjala ime, edhe po thotë “Jahë nuk duhet të thuash s’do të këtë gjakderdhje kurrë” i thashë profesor jo qysh jo, më tha gabim e ke sepse “Gjakderdhje do të ketë por hakmarrje s’do të këtë”, tregoi Jusufi.
Aktivitetin në pajtimin e gjaqeve, Jusufi tregon se e kishte filluar pasi ishte liruar nga burgu, që ishte arrestuar për nxitje te nacionalizmit shqiptar përmes shkrimeve dhe temave.
“Kam punuar shumë në grupe letrare, dhe pastaj dënuar pak me burg, një muaj, për shkak të nxitjes së nacionalizmit shqiptar përmes temave të njohura, “Muaji nëntor i bardhë porsi borë” ose “E kaluara jonë ishte e vështirë, e ardhmja jonë është në duart tona”, kështu që u dënova pak dhe e pagova me të holla, dhe një muaj burg”, tha 75 vjeçari.
Një ngjarje tjetër që fle në faqet e ditarit “Shkrime të Shkapërderdhura”, që është e fundit, por jo nga rëndësia, ka të bëjë me kontributin e tij mbi 43 vjet në fushën e arsimit.
Veterani i arsimit, përderisa ndau për Kosova Press një ngjarje interesante që i kishte ndodhur gjatë kohës kur po jepte mësim, u shpreh se po ta dinte që nxënësit dhe prindërit do e vlerësonin aq shumë, ai do të punonte edhe më shumë.
Jusufi tregon se edhe tash që ka dalur në pension, ende po merret me shkrime, dhe se leximi i veprave është pjesë e pandashme e jetës së tij.
Për fund, veterani i arsimit u shpreh se libri “Të bëhesh”, i autores Michele Obama dhe prozat e Kadaresë janë të preferuarat e tij.