Opozita thërret seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e teksteve shkollore

Deputetët e opozitës kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit më 04 shtator, për “dështimet e Qeverisë” për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Eliza Hoxha e ka publikuar kërkesën, teksa ka thënë se Kuvendi duhet ta ndërpres pushimin e “t’i kthehet punës”.

“Ky vit i ri shkollor, po fillon i shoqëruar me njërin prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie: Dështimin për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindrit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë” ka shkruar Hoxha. Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe ti kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj”, shkruan ajo.

Në arsimin paruniversitar të Kosovës sot fillon viti shkollor 2023/24.

Një ditë para nisjes së procesit mësimor, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me tekste shkollore për fëmijët e tyre ishte i lartë.

Çështja e furnizimit të nxënësve me tekstet shkollore këtë vit ka ngjallur reagime e telashe të shumta, pas vendimit të MASHTI-t që mjetet për blerjen e teksteve tu barten në llogaritë e prindërve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *