Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar se takimi i radhës në dialog në Bruksel, i paralajmëruar të mbahet më 14 shtator, do të zhvillohet për zbatim të Marrëveshjes dhe të Aneksit.
Ai ka deklaruar në KTV se dakordimet duhet të nënshkruhen, pasi sipas tij, janë pika pozitive dhe që Kosova është pajtuar për to.
Sipas kësaj, i bie që Qeveria është e gatshme edhe për themelimin e Zajednicës.
Zulfaj ka theksuar se në çdo takim të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë do të diskutohet pjesa e hapave që do të ndërmerren në zbatimin e secilit nen.
“Takimet janë për zbatimin e marrëveshjeve. Gjithçka tjetër s’i kontribuon normalizimit të raporteve. Shkojmë në Bruksel për të zbatuar Marrëveshjen që e kemi dakorduar, e besojmë se duhet të nënshkruhet. Është mirë të nënshkruhet, ne jemi pajtuar të nënshkruajmë për të. Por, çdo takim i nivelit të lartë është për zbatimin e marrëveshjes që tashmë është në pjesën e sekuencimit, të hapave që duhet të ndërmerren nga palët për të zbatuar secilin nen të marrëveshjes”, ka deklaruar këshilltari i Kurtit.
Sipas Zulfajt, njohje de-facto e Serbisë për Kosovën është njohja e një varg dokumentesh dhe pasaportash. Duke folur edhe mbi qasjen e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në raport me dialogun me Kosovën, Zulfaj ka thënë se s’duhet pasur dilema mbi qasjen serbe.
“Qasja e Serbisë besoj se dihet për të gjithë ata që kanë pasur dilema. Vuçiqi premtonte t’i vendoste sanksione Rusisë në takime të fshehta…Pritjet afatshkurtra ndaj presidentit serb janë të mëdha, ne vazhdojmë me sundimin e ligjit e nuk presim. Bashkimi Evropian dhe të tjerët po presin që Vuçiqi të ndryshojë, nuk po ndryshon prandaj pritja po bëhet afatmesme dhe afatgjatë. Por pritjet janë të gabuara. Jam skeptik me regjimin e Serbisë. Edhe nuk e nënshkroi një të tillë, i iku nënshkrimit, e votoi kundër në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ai.
Zulfaj është shprehur pro vendosjes së masave sanksionuese ndaj Vuçiqit, pasi sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të kishte normalizim të qasjes së presidentit serb.
I pyetur për mundësinë e pezullimit të vendimit për vizat, këshilltari i Kurtit ka thënë se BE-ja mund të bëjë gjithçka në këtë drejtim, por është shprehur kundër “tërheqjes nga sundimi i ligjit”.