“…kush s’ia del mërdhihet”, kaq kushton 1 metër dru në Kosovë

Është dita e parë e shtatorit, por zhurma e motorëve tashmë ka filluar.

Kamionët me dru, e blerësit duke u interesuar për çmime. Kjo pamje të shoqëron pothuajse në çdo cep të kryeqytetit.

Njëjtë po vepron edhe Naser Krasniqi nga Prishtina.

Ai gjatë së enjtes u interesua që t’i blejë 10 metra dru për stinën e dimrit, por problem goxha i madh për të ishte çmimi i shtrenjtë.

‘Dhjetë metra minimum më duhen nëse marr edhe thëngjill. Metra koka 65 euro këtu derisa në disa vende edhe 75 euro. Për kushte tona shumë shtrejt pasi unë jam pensioner dhe me një pension as tri metra nuk i merr”.

Ndonëse ende jemi zyrtarisht në sezonin e verës, një metër dru shkon nga 65 deri në 75 euro.

E pikërisht çmimi i shtrenjtë ishte bërë shkak që Ibrahim Ademi të ndërrojë sistemin e ngrohjes në shtëpinë e tij.

Pompa termike e subvencioni që ishte dhënë nga Qeveria vitin e kaluar, thotë ta ketë ndihmuar shumë.

“Qe dy vite kemi fillu me nxemje të pompës termike, e kemi pas deri tash me pelet por shumë i shtrejt, s’kemi pas levërdi por djali e ka fitu grantin dhe tash me pompë termike dhe shumë ma e leverdishme”, ka thënë Ibrahim Ademi.

Disa banorë të tjerë të Prishtinës thotë se lëndët djegëse për dimër kanë arritur t’i sigurojnë vetëm falë ndihmës së familjarëve të jetojnë në shtete evropiane.

“Mu me punon djali, se për mu më një penzi si kisha marr as dy metra”, ka thënë Nezir Jakupi.

“ I kom ba drutë e dimrit, e kam djalin jashtë edhe me ka nimu mi ble”, ka thënë Gani Lahu.

“Kur i kom ble unë i kom marr 63 euro një metër dru, kush ja del ja del kush s’ja del mërdhihet, çka me ba”, ka thënë Naim Ajvazi, raporton Dukagjini.

Rritja e çmimit të druve kishte filluar që nga periudha e pandemisë.

Gjatë kohës së krizës me energji elektrike vitin e kaluar, Qeveria kishte subvencionuar 10 mijë familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje, në mënyrë që të kursehej rryma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *