Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me mënyrën e re që u prezantuar këtë vit nga ‘MASHT-i’ për blerjen e teksteve shkollore, raporton “Gazeta Blic”.
Pupovci tha se nuk ka informacione se pse kanë dështuar negociatat mes MASHT-it dhe shtëpive botuese për blerjen e librave duke theksuar se ideja e subvencionimit është më e ndërlikuar.
Ai tha se ka mundësi që shumica e qytetarëve t’i blejnë tekstet shkollore para se t’i marrin subvencionet.
“Nuk i di arsyet pse kanë dështuar negociatat në mes të MASHTI dhe shtëpive botuese për blerjen e teksteve shkollore, por, si duket, ky fakt ka prodhuar idenë e subvencionimit të prindërve. Pa dyshim, jetësimi i kësaj ideje është më i ndërlikuar sesa blerja e drejtpërdrejtë e librave nga shtëpitë botuese për shkak të problemeve që mund të lindin me aplikime, pagesa dhe çmime të teksteve. Që tani po e shohim se ka vështirësi me aplikime në rastet kur fëmijët janë regjistruar në klasën e parë pa i mbushur 6 vjet, e probleme të ngjashme mund të ketë edhe me fëmijët e moshës mbi 11 vjeç që vijojnë klasën e pestë. Besoj se shumica e qytetarëve do t’i blejnë tekstet edhe para se t’i marrin subvencionet, por i kemi edhe ato kategori që një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë, sepse jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Pastaj, mund të kemi edhe bashkëqytetarë që nuk kanë fare llogari bankare ose i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve. Të gjitha këto rrethana mund të rezultojnë me vonesë të furnizimit me tekste për një numër të nxënësve që vinë nga grupe të margjinalizuara. Vonesa mund të ketë edhe për faktin që disa tekste mungojnë në treg ose në ato qytete ku nuk ka rrjet të shitjes” deklaroi Pupovci për “Gazeta Blic”
Pupovci ka folur edhe në lidhje me vendimin e Qeverisë për ndarjen e 6 milion eurove për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e parë deri në klasën e pestë vendim ky që erdhi pas anulimit të tenderit me vlerë mbi 4 milion euro, javë më parë nga Ministria e Arsimit.
“MASHTI ka pasur një buxhet prej rreth 4.32 milion euro për blerje të teksteve shkollore, por nuk kam informacion sa e ka tejkaluar oferta e shtëpive botuese këtë buxhet, pasi për këtë nuk kanë folur as MASHTI as shtëpitë botuese. Mund të ketë shkuar edhe mbi 6 milion euro. Që tani po shihet se shuma e ndarë prej 50 EUR për tekste shkollore nuk po mjafton për të gjitha klasat, por, si duket 80 EUR po dalin të mjaftueshme. Prandaj, këtu prindërit po e shfrytëzojnë edhe subvencionin e dedikuar për mjete mësimore për t’i blerë librat. Në tregun e librit çmimet formohen lirshëm, prandaj asgjë nuk i obligon shtëpitë botuese të mbeten brenda kufijve të përcaktuar me subvencionin e MASHTI. Kjo nuk do të thotë që të gjitha mjetet e dedikuara për subvencionim do të shpenzohen, pasi do të ketë edhe prindër që, për arsye të ndryshme, nuk do të aplikojnë fare për subvencione” tha Pupovci për “Gazeta Blic”
Dukagjin Pupovci, Ish-zëvendësministër i Arsimit
Qeveria e Kosovës ditën e djeshme i ka ndarë rreth 13 milionë euro për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për klasat 1-9.
Sipas njoftimit të qeverisë, mbi 6 milionë e 300 mijë euro janë ndarë për subvencionimin e teksteve shkollore për klasa 1-5, ndërsa mbi 6.6 milionë euro janë ndarë për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot, në mënyrë elektronike, mbledhjen e radhës në të cilën ka ndarë 6,323,380 (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e katërdhjetë) euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Kujtojmë se javë më parë Ministria e Arsimit kishte anuluar me vlerë mbi 4 milion euro për blerjen e teksteve shkollore me arsyetimin se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese janë të larta.
/Gazeta Blic/