Qeveria hesht për datën e takimit të shtatorit

Në fillim të javës zhvilluan një takim, e pasi e përfunduan, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, folën për takimin e radhës të nivelit të lartë që do të mbahet në shtator.

E një datë konkrete për takimin e radhës, nuk është dhënë as nga Qeveria e Kosovës. Në një përgjigje për Tëvë1 edhe zëdhënësi Përparim Kryeziu përmendi vetëm muajin shtator.

“Takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut pritet të mbahet gjatë muajit shtator. Për datën dhe agjendën e takimit do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu.

Megjithatë unioni evropian po vazhdon të ripërsërisë kërkesën, siç thotë ndaj palëve, për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm në mënyrë që të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut.

Insistimin intensiv po arsyetojnë njohësit e proceseve politike, por sipas profesorit Mazllum Baraliu, që takimet në kuadër të dialogut të jenë të suksesshme, Bashkimi Evropian duhet të ketë qasje të paanshme.

“Duke e favorizuar Serbinë, dhe duke e sanksionuar Kosovën. Duke lejuar që Serbia vazhdimisht të bëj obstruksione para syve të botës, para kësaj bashkësie dhe ata ta abstenojnë, ta kursejnë Serbinë nga komentet madje, ndërkohë që Kosovën nuk kursejnë për asgjë dhe e dënojnë, kritikojnë dhe qortojnë, unë mendoj që nuk do të ketë asgjë nga kjo”, deklaroi Baraliu.

Optimist në lidhje me takimet e ardhshme të nivelit të lartë po shprehet njohësi i çështjeve politike Fidan Ukaj, por jo edhe për ecurinë e procesit të dialogut.

“Periudha e pushimeve i ka bë palët me reflektu e po ashtu edhe facilituesin ndërkombëtar. Kemi pas edhe një paralajmërim tash së fundmi edhe nga Presidenti Macron i cili tha se nëse palët nuk do të reflektojnë atëherë do të diskutohet heqja e liberalizimit të vizave për të dyja vendet. Unë jam skeptic se mund të jetë ky vit kalendarik vit që do ti përmbyllte marrëveshjet e dakorduara më herët”, tha Ukaj.

22 qershori ishte hera e fundit kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq ishin në Bruksel, por ata zhvilluan vetëm takime bilaterale me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së Josep Borrell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *