Bajrami, Nagavcit: Dështimin me librat po e paguajnë shtrenjtë nxënësit

Ish-homologia e ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, e ka quajtur dështim thirrjen e ministres që prindërit të mos i blejnë librat, pa marrë listën nga mësuesit.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka cekur disa nga problemet me të cilat prindërit po përballen me vendimin e ri të MASHTI-t për blerjen e librave. Ajo ka thënë se kjo çështje është kaos.

“Shkelësja e kushtetutës Nagavci tek sot iu paska bë thirrje prindërve ‘mos me i ble librat, pa e marrë listën nga mësuesit’, e çka me ata që tashmë i kanë ble, t’i kthejnë apo? Ai prindi nga Kaçaniku që dje e ka lënë punën ka shku në Ferizaj me i ble librat, tash duhet me marrë edhe një ditë tjetër pushim me shku me i ndrru librat?! Për më tepër, kush e garanton atë dhe të tjerët që kanë me i gjetë ato libra që i rekomandojnë mësuesit?! Kësaj i thonë kaos me kosto të lartë”, ka shkruar Bajrami.

Sipas ish-ministres së Arsimit, “thirrja e Nagavcit për prindërit është thirrje e tërthortë për shtëpitë botuese ‘mos botoni libra se kërkesa për ato varet nga mësuesit’”.

“Çfarë dështimi! Ju kemi tregu që ka me pasë shumë probleme këtë vit. Është mëkat i madh që dështimin e Ministrisë dhe Qeverisë kaq drejtpërdrejtë e kaq shtrejtë po e paguajnë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit”, potencoi Hykmete Bajrami.

Ministrja Nagavci gjatë ditës së sotme, teksa njoftoi se kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër në eKosova për rimbursim, luti prindërit që “para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *