Lirohet nga paraburgimi ushtari i FSK-së, Hysni Geci

Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin natën e 4 gushtit. I ndaluar ishte edhe Hysni Geci.

Ky i fundit, siç njofton Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, është liruar nga masa e paraburgimit.

Me kërkesë të Prokurorisë, është liruar nga masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit, pasi kanë pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, konfirmoi Gashi.

Më herët është konfirmuar edhe lirimi nga paraburgimi i Gzim Zakutit. Lajmin e tha avokatja e tij Teuta Beka-Bunjaku.

“Është marrë në pyetje në Prokurori. Sot e kanë liruar, ama nuk kanë vendim akoma”, tha avokatja e tij.

Ndryshe, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati, ndërsa i dyshuari Andi Pajazitaj pas trajtimit që ka marrë në QKUK është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17  persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *