Është suspenduar nga detyra Komandanti i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, Kapiten Brahim Shatrolli, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
Ky vendim u mor për shkak se dyshohet se i njejti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, raporton IndeksOnline.
Dyshohet se ai bashkë me rreshterin, Muhadin Hajdini dhe zyrtarin policor, Përparim Siriniqi ka bërë dallavere për një tiketë komunikacioni.
Ata po dyshohen se kanë ndaluar një qytetar për vozitje të shpejtë (104 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 km/h) dhe ia kanë shqiptuar tiketën në vlerë 500 euro, një vit ndalesë të drejtimit të mjetit motorik dhe pesë pikë negative.
Katër ditë pas shqiptimit të tiketës është anuluar tiketa e parë, i është kthyer patentë shoferi qytetarit dhe i është shqiptuar tiketë e re vëllait të qytetarit për vozitje pa patentë shofer duke e anashkaluar plotësisht Komisionin për Vendosje si autoritet i vetëm për anulimin ose jo të tiketave në trafikun rrugor, sidomos kur ka masë mbrojtëse.
Kapiten Brahim Shatrolli ishte emëruar në këtë detyrë para pak muajsh.