Me rritjen e çmimeve të derivateve dhe produkteve të tjera, tani po paralajmërohet rritje e çmimit të biletave të autobusëve të Trafikut Urban.
Nga kjo ndërmarrje kanë thënë se biletat për udhëtarët do të ngritën për 0,10 cent më shumë.
Sipas tyre, kjo rritje e biletave po vie pas ngritjeve të çmimeve të derivateve.
“Se bashku me organet ekzekutive komunale jemi duke e analizuar gjendjen e krijuar pas ngritja se çmimit te derivateve si dhe kërkesën e BERZH për ngritje te çmimit te biletës nga 0.40 cent në 0.50 cent”, thuhet në përgjigjen e Trafikut Urban për Front Online.
Nga “Trafiku Urban” kanë bërë të ditur se 51 autobusët që janë në dispozicion operojnë në 7 linja të ndryshme të kryeqytetit.
“Ju njoftojmë se flota e autobusëve e “Trafiku Urban” është e përbërë prej 51 autobusëve dhe ofrojmë shërbim me kapacitet të plotë në 7 linja te përcaktuara me vendim nga komuna e Prishtinës. Ndërmarrja ka staf profesional dhe te mjaftueshme për ofrim të shërbimit sa më cilësor ndaj qytetarëve”, thuhet më tej në përgjigje.
Stacionet e bllokuara nga taksitë ilegale, mungesa e shiritit për qarkullim të autobusëve janë disa nga sfidat kryesore të kësaj ndërmarrjeje.
“Sfidat kryesore i bartin shoferët e autobusëve te cilët hasin ne probleme te shumta ne komunikacion, në mungesë të shiritit të veçantë për qarkullim të autobusëve, në stacione te uzurpuara nga taksistët ilegal e qe na pamundësohet ofrimin i shërbimit cilësor ndaj qytetarëve, si dhe mungesa e sinjalizimit për vend ndalje të autobusëve në linjën”, kështu kanë deklaruar nga ”Trafiku Urban”.
Ndryshe, numri i autobusëve që u blenë nga ish-kryetari i komunës së kryeqytetit, Shpend Ahmeti herën e fundit ishte 21, në 2018-ën.
Ahmeti pati thënë se nëpërmjet këtij investimi do të plotësohet zotimi elektoral i tij, për 80 autobusë në pronësi publike.