Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, lëndohen pesë persona

Pesë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur këtë të enjte rreth orës 13:15 në autostradën “Ibrahim Rugova”, drejtimi Prizren-Suharekë.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërkaq të lënduarit kanë pranuar ndihmë mjekësore.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Njësitet kompetente policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe hetimet janë duke u zhvilluar për identifikimin e shkaktarëve të këtij aksidenti”, ka thënë Hoxha.

Ai ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe vozitjen ta përshtatin me kushtet në rrugë, në mënyrë që të ketë sa më pak aksidente rrugore.

“Policia po punon në vazhdimësi me njësitet e saj në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të implementimit të ligjit të trafikut dhe ndëshkimin e kundërvajtësve që bien ndesh me rregullat në trafik apo paraqesin rrezik për pjesëmarrësit tjerë”, ka përfunduar Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *