Vdekja e pacientit në Psikiatri, Bordi i ShSKUK-së paralajmëron veprime ligjore

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se të enjten ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte ngjarja e fundit e ndodhur në Klinikën e Psikiatrisë, në të cilën si pasojë e zjarrit ka humbur jetën një pacient.

Në komunikatën për media thuhet se Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës.

Po ashtu, thuhet se do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla.

“Sot, Bordi Drejtues i ShSKUK-së, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte ngjarja e fundit e ndodhur në Klinikën e Psikiatrisë”, thuhet në njoftim.

“Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës. Po ashtu, do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla”.

Ndryshe, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka konfirmuar se të mërkurën mbrëma si pasojë e një zjarri në njërën nga dhomat e Klinikës së Psikiatrisë, ka humbur jetën një pacient.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.

Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngufatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftim.

QKUK ka shtuar se gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, kanë thënë për Telegrafin se prokurori ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në IML për obduksion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *