Gjatë konferencës përgatitore për mbrojtjen në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen, ka thënë se është i zhgënjyer me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) duke bërë pyetjen se a po ka frikë Prokuroria nga realiteti.
“Jam i zhgënjyer sepse kam ndjesinë që ka njëfarë nxitimi për përfundim të çështjes apo mos t’i japin kohë mbrojtjes të prezantojë provat e veta nga kolegët e ZPS-së”, tha Gilissen.
Ai tha se e pyet veten se çfarë po ndodh dhe se nga çka ka frikë ZPS-ja, apo mos ka frikë të dëgjojë disa persona që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe a ka frikë nga realiteti, por se nga ana e ZPS-së nuk ka pasur asnjë koment, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, prokurori Filippo De Minicis tha se mbrojtja duhet të tregojë se cilat pjesë të dëshmive të dëshmitarëve ndërkombëtarë bien ndesh me dëshmitë e dëshmitarëve konkret në këtë çështje.
Ai tha se ‘‘mbrojtja nuk ka parashtruar mbështetshmëri të përshtatshme në parashtrimet e tyre’’ dhe se informacioni që kanë nuk është i mjaftueshëm për të treguar rëndësinë e dëshmisë së tyre.
I njëjti tha se nuk kuptohet rëndësia e lëvizjes së Brigadës 128 dhe provat lidhur me të, duke i cilësuar si deklarime shumë të përgjithshme.
Kurse, avokati Mohamed Hedi Aouini deklaroi se përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pretendon se Shala ka qenë në Brigadën 128, ata do sjellin persona që tregojnë se kjo nuk është e vërtetë.
“Do sjellim persona që kanë punuar në logjistikë në këtë fabrikë që nuk e kanë parë Shalën aty ose e kanë parë vetëm një ditë, ka marrë armët dhe ka shkuar të luftojë për kombin e tij’”, tha tutje ai.
Një pjesë e komenteve të tij për përmbajtjen e dëshmisë së dëshmitarëve ka qenë me përmbajtje të redaktuar.
Ndërkaq, lidhur me dëshmitarët ekspertë, ekipi mbrojtës ka thënë se janë të qëndrimit se personat ekspertë kanë kualifikimet e nevojshme për të dhënë dëshmi para trupit gjykues dhe se me shkrim do të paraqesin hollësi të tjera.
Më tej, është diskutuar për kërkesën e mbrojtjes që tetë dëshmitarë të thirren nga ana e trupit gjykues për faktin se të njëjtit kanë refuzuar të takohen me ta apo nuk i kanë kontaktet e tyre.
Këta dëshmitarë janë dëshmitarët 441, 4280, 4440, 2517, 3881, 2549, 4405 dhe 4454, ku për secilin nga ta, avokati Aouini ka treguar veprimet që kanë ndërmarrë për të hyrë në kontakt me ta dhe refuzimet e tyre.
Nga ana e Prokurorisë, është thënë se nëse kërkohet nga trupi gjykues do të japin informatat e nevojshme për dëshmitarët që mund të thirren me letërthirrje.
Më tej, lidhur me pikat për thirrjen e dëshmitarëve përmes video-lidhjes, kërkesën e mbrojtjes për të ndryshuar listën e provave dhe parashtrimet e ZPS-së dhe mbrojtësit të viktimave lidhur me pranueshmërinë e provave që mbrojtja kërkon t’i paraqes në gjykatë. nuk ka pasur komente nga askush.
Për masat mbrojtëse ndaj dëshmitarëve, avokati Aouini ka thënë se nuk kanë kërkuar masa të tilla për personat që kanë pasur mundësi t’i takojnë, kurse mund të ketë kërkesa për dëshmitarët që mund të thirren nga ana e gjykatës me fletëthirrje.
Ndërkaq, lidhur me pikën për sigurimin e garancisë kundër vetë inkriminimit në pajtim me rregullin 151, nga ana e prokurores Gaia Pergolo u tha se dëshmitari 4280 mund të ketë nevojë për garanci të tilla.
Kurse, në seancë private është trajtuar kundër-përgjigja ndaj përgjigjes së mbrojtjes për mocionin e ZPS-së për pranimin e provave.
Në këtë mënyrë, konferenca e sotme përgatitore për mbrojtjen ka përfunduar kurse, në konferencën e nesërme priten të jepen disa urdhra dhe udhëzime për paraqitjen e argumenteve të palës mbrojtëse.
Mbrojtja e Pjetër Shalës thotë se dëshmitarët do tregojnë se nuk e kanë parë atë në Kukës, ZPS kundërshton
(Përditësuar, ora 12:25)- Gjatë konferencës përgatitore për mbrojtjen në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në rastin e Pjetër Shalës, mbrojtja e këtij të fundit ka thënë se dëshmitarët e thirrur do të tregojnë se nuk e kanë parë atë në Kukës, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka kundërshtuar dëshmitë e tyre.
Avokati mbrojtës, Mohamed Hedi-Aouini tha se se po sjellin njerëz që thonë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E kemi thënë se Shala është akuzuar se ishte pjesë e Brigadës 128, po sjellim njerëz që thonë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128 dhe nuk e kanë parë Shalën aty, dhe që të ketë pas ndonjë rol atje, kjo është arsyeja pse po sjellim persona nga Brigada”, tha ai.
Tutje, ai tha se Shala nuk ka pasur vend në atë fabrikë dhe se duan të tregojnë se ka ekzistuar ky informim kur është përpiluar aktakuza, nga ana e ZPS-së, pasi sipas tij ka dëshmitarë që janë intervistuar edhe nga ZPS-ja.
Ndër të tjera, Aouini ai tha se dëshmitari 17-të thotë se nuk është pyetur fare për Shalën.
Ai po ashtu tha se është një dëshmitar që ka qenë pjesë e Brigadës 128 por që nuk e ka parë të akuzuarin në Kukës, si dhe ka të tjerë që e kanë thënë të njëjtën gjë, por që shtoi se informacionet i kanë që të njëjtit kanë qenë në atë fabrikë kur ka filluar mobilizimi dhe më tej, duke shtuar se besojnë se është saktësisht në periudhën e aktakuzës.
Nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë kundërshtuar dëshmitë e disa dëshmitarëve.
Prokurori Filippo De Minicis tha se dëshmitari 4454 nuk ka qenë në fabrikën e metalit në kohën e aktakuzës dhe se e hedhin poshtë rëndësinë e tij pa dokumente tjera përcjellëse.
Për dëshmitarin DW402, tha se ka qenë në pikën 1 dhe jo në fabrikën e metalit në Kukës, andaj është e pavlerë dëshmia e tij. Kurse, për dëshmitarin DW404 tha se nuk kanë informacion se kur ka qenë në Kukës dhe ku, njashtu për DW406, duke kërkuar të dihet vendndodhja e tij e saktë.
Kundërshtimet për tre dëshmitarë të tjerë si dhe për tre ndërkombëtarët, kanë qenë me përmbajte të redaktuar.
Paraprakisht, avokati Aouini ka thënë se gjatë kësaj periudhe do të tentojnë të takohen me katër dëshmitarë, por që këta hapa përfundimtar të hetimit nuk do çojnë në vonesa në procesin gjyqësor.
Ai tha se do tentojnë të takohen me dëshmitarët 4405, 4754, DW405 dhe DW404, si dhe shtoi se ekspertët do të japin dëshmi në fund fare të të gjithë dëshmive të mbrojtjes.
Tutje, nga ana e mbrojtjes u konfirmua se janë nxjerrë të gjitha materialet që ata synojnë t’i paraqesin para trupit gjykues, përfshirë inspektimin e objekteve të prekshme.
Ndërkaq, ekipi mbrojtës i Shalës ka diskutuar edhe për frikën dhe hezitimin e dëshmitarëve për të bashkëpunuar me ta, si dhe vështirësitë që kanë dhe vazhdojnë të hasin për t’u takuar me ta, duke sqaruar se shpesh ata pranojnë dhe më pas refuzojnë të flasin me mbrojtjen.
Të pyetur nëse kanë informacione të tjera të disponueshme që kanë vlerë provuese që nuk janë pasqyruar në përmbledhje, avokati Aouini tha se do të tentojë të shikojnë edhe njëherë dhe të paraqesin informacionin shtesë, për çka u urdhëruar t’i dorëzojnë të njëjtat gjatë ditës së sotme.
Më tej, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar që ekipi mbrojtës t’i shfrytëzojë ditët e seancave duke kërkuar që të sigurojnë dëshmitarë edhe për datat 18-19 shtator dhe jo siç kanë paralajmëruar se do fillojnë me dëshmitarë më 20 shtator.
Për këtë, ekipi mbrojtës tha se do të tentojnë, por që sërish treguan se kanë vështirësi të ndryshme, përfshirë edhe probleme me viza dhe pasaporta.
Konferenca do të vazhdojë pas një pushimi të shkurtë.