Një pacient, i moshës 50-vjeçare, ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë, pasi dyshohet se ia kishte vënë flakën dhomës ku ai po merrte trajtim. Përveç tij, nga tymi e kanë pësuar edhe pesë persona tjerë – dy mjekë, dy infermiere dhe një paciente. Për këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me policinë, që të ndriçohen rrethanat.
Mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur. Sipas ShSKUK’së, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës dhe si pasojë e ngulfatjes, ai ka vdekur, ndërsa janë lënduar pesë persona tjerë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftimin e ShSKUK’së.
Për këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se prokurori i shtetit ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML, derisa janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me policinë që të ndriçohen rrethanat.
“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda është njoftuar nga Policia e Kosovës për zjarrin e shkaktuar në rrethana të panjohura brenda kësaj Klinike, i njëjti ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi, derisa nga kjo situatë e krijuar disa persona të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML, për t’iu nënshtruar obduksionit, derisa veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me policinë, për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ulaj për Express.
Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë se janë njoftuar rreth orës 00:15 për rastin. Sipas saj një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar.
“Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, tha ajo.
Ahmeti shtoi se aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kërkuar përgjegjësi pas vdekjes së pacientit në Klinikën e Psikiatrisë, duke thënë se është dështim i radhës.
“Vdekja e pacientit dhe asfiksimi i stafit mjekësor si pasojë e zjarrëvënies në Klinikën e Psikiatrisë është dështimi i radhës, është paaftësia në kujdesin ndaj pacientëve dhe menaxhim shëndetësor.”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ai ka thënë se për këto raste dikush duhet të marrë përgjegjësi.
“Çka dhe sa raste e skandale duhet të ndodhin që dikush të marrë përgjegjësinë për vdekjet e shumta që po ndodhin në SHSKUK, si dhe shkatërrimin e sistemit tonē shëndetësor? Përse janë gjetur mjete rrethanore të rrezikshme te pacienti psikiatrik siç po përshkruhet me shenja agresiviteti?”, ka përfunduar Haxhiu.
Ndërsa, gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka thënë se ka dyshime që i ndjeri ka mundur ta shkaktojë vetë zjarrin me shkrepëse, mirëpo ka shtuar se ai supozohej të kontrollohej para se të futej në izolim.
Sipas tij, kjo tragjedi nuk duhet të kalojë në heshtje sepse ka ndodhur në një institucion publik dhe nën kujdesin e shtetit.
“Rasti i zjarrit ne sherbimin emergjent ne Psikiatri-QKUK ku vdiq nje pacient ka ndodhur pasmesnates rreth ores 1:00. Pasi kam marr infon kam shku ne vendin e ngjarjes. Ajo çka dihet eshte se dysheku dhe batanija ne dhomen e izoluar jane djegur dhe si pasoje pacienti ka nderruar jete. Dyshimet jane se i ndjeri ka mundur vet te shkaktoje zjarrin me shkrepse, te cilen nuk do te duhej ta kishte me vete pasi supozohet se kontrollohet para se te futet ne izolim. Keto dyshime duhet t’i zbardhin organet e hetuesise. Kjo tragjedi nuk duhet te kaloje ne heshtje sepse ka ndodhur ne nje institucion publik dhe nen kujdesin e shtetit”, ka shkruar Vitija.