Qasja kritike dhe deklarimet e pushtetit aktual për mos punë apo afërsi të prokurorëve dhe gjyqtarëve me opozitën e tanishme, po konsiderohen të dëmshme nga njohës të së drejtës kushtetuese dhe monitorues të sistemit të drejtësisë. Sipas tyre, deklarimet janë ndërhyrje në drejtësi.
Pas arrestimeve për keqpërdorime me “rezervat shtetërore”, zyrtarë qeveritarë e deputetë të shumicës parlamentare filluan kritikat ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, të cilat i akuzojnë për mospunë, punë selektive apo afërsi me ish partitë në pushtet që tani janë në opozitë.
Kritikat e pushtetarëve po cilësohen të dëmshme e ndërhyrje në drejtësi prej ekspertëve të kushtetutës dhe monitoruesve të sistemit të drejtësisë.
Për profesorin e së drejtës kushtetuese, ish-nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, qëndrimet e pushtetit janë të gabuara. Ai thotë se Qeveria e Parlamenti duhet të bashkëpunojnë, por në asnjë formë nuk duhet të ndërhyjnë në punën e sistemit të drejtësisë.
“Qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Po ashtu edhe parlamenti. Kjo formë e ndërhyrjes jep imazh negativ të një qeverisjeje. Veç tjerash konsiderohet se kështu shkelen edhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Kështu që, është e pa precedent që të ndërhyhet, shto faktin këtu se prokurorët dhe gjyqtarët janë të trajnuar edhe nga USAID-i amerikan dhe kanë një kredibilitet se si duhet të vendosin”, tha ai.
Kritikat e ditëve të fundit të pushtetit karshi Prokurorisë dhe gjykatave po konsiderohen cenim i pavarësisë së tyre edhe nga shoqëria civile.
Një gjë të tillë e thotë për Radio Kosovën edhe Eranda Zeka, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Qeveria e Kosovës assesi nuk duhet të ndërmarrë veprime me të cilat mund të ndërhyjë në punën e gjyqësorit. Pastaj po vendosen standarde të dyfishta rreth asaj se nëse po hetohen apo ngrihen aktakuza ndaj akterëve të kësaj qeveria e po kemi interferime të tilla në gjyqësor, por, në rastet kur kemi aktakuza ndaj ish-qeveritarëve nuk kemi interferime të tilla nga ana e qeverisë”, tha ajo.
Ndaj deklaratave të qeveritarëve e deputetëve të Vetëvendosjes, kanë reaguar ditë më parë nga Këshilli Prokurorial dhe Shoqata e Prokurorëve. Sipas tyre, sulmi e linçimi i prokurorëve përbën shkelje të patolerueshme dhe vë në rrezik serioz edhe hetimet.