Muja: Mungojnë 0.5 përqind e grurit, çdo kokërr grurë e blerë me para publike duhet të jetë këtu

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka deklaruar se 0.5 për qind e grurit është sasia e cila mungon në rezervat shtetërore, duke iu referuar PRSK-së.

Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Muja ka deklaruar se i tërë gruri duhet të jetë prezent nëse blihet me para publike.

“Çdo kokërr grurë e blerë me paratë publike duhet të jetë këtu, ky është qëndrimi im. Sulmet që bëhet me pretendime të paqena, të paverifikuara thuhet gjysma mungon dhe pastaj del një dosje e prokurorisë ku thotë se 52.5 tonë mungojnë. 0.5 përqind, as një përqind. Çdo cent e parave publike, çdo kokërr gruri duhet të jetë këtu. 05. përqind gjatë gjithë javës së kaluar ka thënë se do arrestohet ministra, një çështje që nuk është në dorën e saj.”, ka deklaruar Muja.

Muja tha nëse do duhej të ndodhte arrestimi i ministres Hajdari për më pak se një përqind të mungesës së grurit, çfarë do ndodhte me kontratat që marrin vite kohë realizimi?

“Çka shteti din është se ministrja ka nënshkruar një kontrat për dhjetë mijë tonë dhe nëse është nënshkruar, dhjetë mijë tone duhet të jenë në Kosovë. Ka pretendime se  pse po mungojnë por mendoj se është një çështje civile, kontestimore e cila duhet të rregullohet nga ai që e ka për obligim. Nëse për 0.5 përqind të grurit duhet të arrestohet një ministër apo zyrtar, imagjinoje për 80 përqind të kontratave që vonohen me vite’, ka deklaruar Muja.

“Aferën e grurit dhe vajit’, Muja e ka vlerësuar si një përpjekje për të goditur Qeverinë Kurti.

Pas një muaji të përgjimeve që u etiketuan si “Afera e vajit dhe e grurit”, Policia e Kosovës kreu bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.

Fillimisht, bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal i tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici. Kurse në MINT, u arrestuan dy zyrtarë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit, për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.

Në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.

Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.

Disa zyrtarë policorë, së bashku me disa dokumente që janë marrë brenda zyrave, janë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore, respektivisht të vajit dhe të grurit.

Gara dhe Lipovica dëgjohen në disa audioincizime të siguruara nga mediumi “Nacionale”, duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë.

Ndaj tre të dysharve është caktuar nga një muaj paraburgim.

Njëherit, nga opozita është kërkuar edhe shkarkimi i Minsitres Hajdari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *