Stano: BE dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dorëheqjen e nëntë policëve rinj serbë, ka thënë zëdhënësi Peter Stano, duke theksuar se BE i dënon kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë.

Ai ka thënë se frikësimet dhe kërcënimet janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të ndalen menjëherë.

“BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano.

Stano ka theksuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *