Rënie e eksportit prej rreth 12 %, rritet importi

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistika e tregtisë së jashtme për muajin korrik 2023.

Krahasuar me muajin korrik 2022, ka pasur ulje të eksportit dhe rritje të importit.

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2023 kishte vlerën 67,3 milion euro, ndërsa importi 512,0 milion euro, që është një rënie prej (-11,8%) për eksport, si dhe një rritje prej 1,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë  të vitit 2022”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Grupin kryesor të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit e përbëjnë: (22.2%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (17.5%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (14.5%) plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, (10.6%) ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, (6.3%) produkte bimore, (5.2%) tekstil dhe artikuj tekstili, etj”m thuhet në njoftim.

Ndërsa më shumë janë importuar produkte minerale, pastaj ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.

“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14,7% e përbëjnë produktet minerale; 12,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6,7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij institucioni rrjedhimisht rritje ka shënuar deficiti tregtar.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4,4% në muajin korrik 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 444,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 426,1 milion euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 13,1%”, ceket tutje në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *