Të premten Komunat e dërgojnë në Kushtetuese Ligjin mbi Tatimin në Pronë – Ibrahimi s’çuditet me deklaratat e Muratit

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka konfirmuar për Ekonomia Online se Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme, do ta dërgojnë të premten në Gjykatën Kushtetuese.

Ibrahimi duke komentuar deklaratën e ministrit Hekuran Murati, i cili ka thënë se  AKK-ja është e dominuar nga opozita dhe se kjo iniciativë është hipokrizi, ai tha se kjo nuk është hera e parë që Asociacioni është duke u quajtur i tillë.

Sipas tij, deklarime të tilla me herët janë bërë nga kryeministri Albin Kurti dhe tani ajo deklaratë përcillet nga vartësit e tij.

“Ne jemi duke punuar sa i përket hartimit të aktit të kërkese se Asociacionit për ta dërguar në gjykatën Kushtetuese dhe po shpresojmë që deri në ditën e premte Asociacioni do ta deponoj kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Asociacioni nuk është palë, por komunat mund ta deponojnë një kërkese të tillë dhe komunat kanë shprehur gatishmëri që ta bëjnë një kërkesë të tillë në Gjykatën Kushtetuese”.

“Nuk është hera e parë që Asociacioni cilësohet si opozitë apo komunat cilësohen si opozitë. Këtë deklarim e ka bërë kryeministri Kurti dhe tash vartësit e tij janë duke e ndjekur një deklaratë të tillë. Opozita dihet se ku është është në Parlamentin e Kosovës, Asociacioni i Komunave të Kosovës është një organizatë jo qeveritare pa kompetenca ekzekutive e cila e ka mision mbrojtjen e interesave të komunave”, tha Ibrahimi.

Kryetari i AKK-së tha se dërgimi i këtij ligji në Kushtetuese është ngritur si shqetësim nga kryetarët e komunave në mbledhjen e jashtëzakonshme që është mbajtur të martën.

Ai me këtë rast ka treguar edhe arsyen se pse është kërkuar që ky ligj të dërgohet në Kushtetuese.

“Në mbledhjen e djeshme të Kuvendit të jashtëzakonshëm të AKK-së bordi i AKK-së është autorizuar që të merret me një problematikë që është ngritur nga kryetarët e komunave në takimin e djeshëm. Ky shqetësim ka qenë sa i përket Ligjit për Tatimin në Pronë. Ku niveli qendror në mënyrë arbitrare pa konsulta me komunat ka vendosur që komunat të marrin vendime në Kuvende Komunale që të bëjnë faljen e tatimit në pronë për tatim paguesit deri në 100 euro. Këtu qëndron problemi, nëse niveli qendror dëshiron të ja fal tatim në pronë qytetarët , atëherë është mirë që të mendoj edhe për implikimet buxhetore, për se e barët këtë mundësi tekë niveli lokal dhe kërkon nga komunat që të marrin vendime të tilla ku buxhetet komunale do të preken. Si mendon niveli qendror që komunat duhet të marrin vendime kundër buxheteve të tyre”.

“Tani të vije një ligj i tillë pa konsulta pa paraprake me komunat, komunat nuk po duan që të pranojnë, sepse kanë kërkuar me sinqeritetin më të plotë kanë kërkuar bashkëpunim konsultim me nivelin qendrorë që të gjendet një zgjidhje e cila nuk do t’i afektoj buxhetet e komunave atëherë komunat e kanë Kushtetutën e Kosovës dhe ju kanë referuar Kushtetutës. Në Kushtetute thuhet që ‘Komuna është e autorizuar të kontestoj Kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të qeverisë të cilat cenojnë përgjegjësit komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës’, kështu e thotë Kushtetuta dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëse komunat kanë të drejt gjykata do të vendos pro komunave, nëse komunat nuk kanë të drejt atëherë gjykata do të vendos kundër”, tha ai.

Ibrahimi u shpreh i çuditur se si komuna e Mitrovicës veriore e cila udhëhiqet nga VV-ja është duke bashkëpunuar me Asociacioni, e një gjë e tillë nuk është duke ndodhur nga niveli qendror.

“Dje kemi mbajtur takimin e jashtëzakonshëm të Kuvend të AKK-së ku është bërë edhe pranimi i komunës së veriut si anëtare e re e AKK-së dhe tani paramendoni komuna e Mitrovicës së Veriut ka treguar gatishmëri që të bashkëpunoj me AKK-në edhe pse kryetari vjen nga radhët e Vetëvendosje. Por një gatishmëri të tillë të bashkëpunimit nuk po e shohim nga niveli qendror duke na cilësuara me terme të tilla”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *