Vdekja e 35 vjeçares në Malishevë, Ministria e Shëndetësisë thotë se klinika ushtronte veprimtari ilegale

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas vdekjes së Leonora Shalës e cila vdiq pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat”.

Në reagimin e tyre thuhet se aty ushtrohej veprimtari ilegale dhe kjo është e patolerueshme.

Reagimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë përmes Inspektoriatit Shëndeësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare.

Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë.

Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.

Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar.

Shprehim edhe ngushëllimet për familjen e të ndjeres.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *