Ambasadori Hill: Në shtator përpjekje të reja për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi 

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, komentuar situatën aktuale në Kosovë, duke shpalosur arsyet pse beson se tani është pak më qetë se muajt e kaluar.

Ndër të tjera, ai ka thënë se deklaratat e ministrit të mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq, se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të “goditen në kokë” pse e njohën Kosovën, nuk mund t’i konsiderojë si përpjekje për të destabilizuar rajonin.

Po ashtu, ambasadori Hill tha se në shtator pret përpjekje të reja për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi.

I pyetur se a e konsideroni të suksesshme politikën e tij nëse merret për bazë se situata në Kosovë është përshkallëzuar disa herë gjatë vitit të kaluar, se Serbia nuk është më afër BE-së, se nuk po zbatohet as Marrëveshja e Ohrit dhe as propozimi evropian për Kosovën, ai u shpreh se politika s’bëhet e suksesshme por e drejtë.

“Së pari, ju nuk bëni politikë sepse është e suksesshme, por sepse është e drejtë. Kur ne formulojmë politikën, ne peshojmë interesat tona dhe idenë nëse është gjëja e duhur që qeveria jonë të bëjë. Sigurisht që ne do të donim që dialogu i Brukselit të zhvillohet shumë më shpejt, ne mbështesim z. (Miroslav) Lajçak sepse mendojmë se kjo është qasja e duhur. Dhe ne dëshirojmë të shohim një marrëveshje të bazuar në formimin e Asociacionit të Komunave [me shumicë, shën.red.] Serbe, në mënyrë që serbët në veri të Kosovës të dinë se cilat janë rregullat e lojës dhe si do të jetë jeta e tyre, kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ne e njohim Kosovën dhe do të donim që ajo t’i bashkohej organizatave ndërkombëtare sepse mendojmë se është më e mira për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit. Kjo është politika jonë dhe mendoj se është e duhura, pavarësisht nëse është e suksesshme apo jo. Loja nuk ka mbaruar”, tha ai.

Hill gjithashtu komentoi edhe deklaratat se Vuçiqi po destabilizon rajonin, dhe ato të ministrit të Mbrojtjes i Serbisë i cili së fundmi tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të “goditen në kokë” nga njohja e Kosovës, të cilën disa në Mal të Zi e interpretuan si kërcënim.

“Unë nuk e shoh atë si një përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe sigurisht nuk mendoj se zoti Vuçeviq donte të kuptohej në këtë mënyrë. Unë sigurisht që do të doja të shihja marrëdhënie më të mira mes vendeve të Ballkanit dhe mendoj se Ballkani i Hapur është një hap i mirë në këtë drejtim, si dhe Procesi i Berlinit… Do të doja të shihja më shumë mbështetje nga vendet e tjera të rajonit, por edhe nga ana e Perëndimit ku të gjithë e kuptojnë se këto vende duhet të bashkëpunojnë dhe kështu do të jenë partnerë apo anëtarë më të mirë të BE-së”, u shpreh ai.

Hill gjithashtu u pyet nëse mund ta bënte një krahasim mes Sllobodan Millosheviqin e me Vuçiqin, se me kë është më e lehtë për të bashkëpunuar, pasi i njëjti ka punuar me të dytë.

“Nuk mund t’i krahasoj, ata janë shumë të ndryshëm, dhe koha është ndryshe. Dhe nuk mund të flas për ngjashmëritë dhe dallimet mes presidentit aktual dhe dikujt si Millosheviqi, këtë do t’ua lë juve dhe historianëve”, tha Hill.

“Ne e dimë se cilët janë “përbërësit” për një të ardhme paqësore në Kosovë”

Rreth çështjes së Kosovës dhe qetësisë momentale, ai tha se do të shihet në muajin e ardhshëm se çfarë do të ndodh.

“Unë do të thosha se është muaji gusht dhe shumë njerëz janë me pushime, do të duhet të shohim se si do të shkojë në shtator. Besoj se kjo është një çështje që kërkon zgjidhje urgjente dhe se duhet progres. Edhe pse ne tani e dimë se cilët janë “përbërësit” për një të ardhme paqësore – formimi i AKS-së, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, vetëm duhet t’i bashkojmë pjesët. Është si një enigmë e madhe që e vendosni në tavolinë dhe më pas i bashkoni pjesët.

Nuk mund të parashikoj një krizë, por ajo që mund të shoh është një përpjekje e re për të zgjidhur problemet. Të gjithë patën një shans për të menduar gjatë verës dhe shpresoj se mund të përmirësohemi. Serbia është vendi më i madh në Ballkan, ka ambicie për t’u afruar me Perëndimin, ka plane ambicioze ekonomike, po vjen “Expo 27”. Po të isha Serbia do të doja ta zgjidhja problemin me Kosovën, për të treguar se unë ende mbështes komunitetin serb në Kosovë, por, përfundimisht, të shoh se cilat janë lëvizjet më të gjera strategjike që duhen bërë për t’u afruar me Perëndimin”, tha për Zërin e Amerikës ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *